English

Legjenda E Vyer E Kodikëve

-Në konferencën "Dorëshkrimet Bizantine dhe Pasbizantine në Shqipëri", organizuar në ambientet e Arkivit të Qëndror të Shtetit- TIRANË, 4 Maj/ ATSH- Suada Daci/- Koleksioni i kodikëve (The codex) përbën një prej pasurive më të rëndësishme kulturore të popullit shqiptar në të gjitha kohërat dhe një pasuri me vlera botërore. Ky koleksion, i cili ruhet në Arkivin Qëndror të Shtetit, përbëhet nga mbi 100 vëllime, që përbëjnë vepra të plota (dorëshkrime) dhe 17 fragmente, të cilat, të gjithë së bashku, njihen si "fondi 888". Vlerat dhe rëndësia e tyre historike u diskutuan sot në konferencën "Dorëshkrimet Bizantine dhe Pasbizantine në Shqipëri", organizuar në ambientet e Arkivit të Qëndror të Shtetit. "Kodikët na vijnë nga një kohë shumë e largët, kur shqiptarët ishin pjesë e një Perandorie të madhe", u shpreh Drejtorja e Përgjithshme e Arkivit të Shtetit, Nevila Nika, duke shtuar se "këta Kodikë vazhdojnë të jetojnë, falë atyre që i krijuan, falë atyre që i ruajtën dhe atyre që i dëshën". Sipas Nikës, "historia e tyre është sa e bukur aq edhe e hidhur siç është rasti i Kodikut të shek të 6 dhe të shek të 9, që dëshira për t'i patur i çoi gati deri në shkatërrim të plotë. Por ne jemi të kënaqur edhe me këto Kodikë që kemi, sepse jemi pjesë e kujtesës botërore". Drejtorja Nika tha se "njohja me këto dokumenta orgjinale të bën të jetosh më mirë të tashmen, duke pasur kështu një të ardhme më të mirë për familjen, shoqërinë, për kombin dhe për të gjithë rajonin". Duke u ndalur te dy kodikët e njohur Berantinus 1 dhe Berantinus 2, Prof. Dr. Ilira Çaushi tha se " këta dy kodikë janë bërë pjesë e trashëgimisë botërore dhe prej disa vitesh gëzojnë mbështetjen e UNESCO-s, një vlerësim ky për Shqipërinë dhe për shqiptarët". "Vlen të përmendet që të dy kodikët janë tekste të hartuara mbi pergamene, kryevepra të artit kaligrafik. Por e veçanta e kodikut Berantinus 1 lidhet me ngyrën e purpurt, sepse ajo nuk është një ngjyrë e zakontë, por një ngjyrë që për kohën konsiderohej një ngjyrë hyjnore, që përdorej për librat e shenjtë", vlerësoi Çaushaj. Çaushaj tha se "Berantinus 1 është shkruar një shekull e gjysëm pas botimit në latinisht të biblës, është shkruar me shkronja prej argjendi të tretur dhe disa fjalë të veçantë në ar. Sipas saj, "Kodiku ruan një dekor me zemra që në kristianzëm tregon simbolin e shpirtit". Ajo tha se "Kodiku i Purpurt i Beratit" vlerësohet ndër veprat themeltare të letërsisë ungjillore, si dorëshkrim me rëndësi të posaçme për kulturën e krishtërimit. Ai çmohet gjithashtu për historinë e shkrimit, për vlerat evidente kaligrafike, si përmendore e trashëgimisë së përbotshme të dijes, si objekt shkencor i paleografisë, bibliologjisë, gjuhësisë, historisë së besimeve. Duke u ndalur te Kodiku Beratinus-2, Çaushaj tha se ai përmban 420 fletë dhe i takon shekullit të 9-të. Ai përmban katër ungjijtë (sipas Gjonit, Lukës, Markut dhe Matheut). Ndërsa specialisti i AQSH-së, Sokol Cunga, foli për kodikun muzikor të Berat 23, duke nënvizuar faktin që Arkivi Qëndror i Shtetit ruan në fondin 488, shtatë kodik muzikorë, ku përfshihen Kodiku i Beratit 23 (1292), Kodiku i Korçës 72 (1736), Kodiku i Tiranës 95, etj. Duke u ndalur te Kodiku i Beratit 23, Cunga tha se "shkrimi muzikor i kodikut i përket periudhës së dytë, shkrimi bizantin i mesjetës, 1177-1670, dhe shënjat muzikore të përdorura në notacionin e Berat 23 janë pothuajse ato shenja që përdoren edhe sot". Rreth 44 Kodikë, që i përkasin periudhës historike nga shekulli VI deri në shek. XVIII, u paraqitën dje në ekspozitën "Dorëshkrime Bizantine dhe Pas Bizantine në Shqipëri". Një ekspozite e kësaj natyre u organizua për herë të parë në Shqipëri dhe synonte afrimin e publikut tek thesaret e kulturës dhe historisë së vendit. Për të dhënë një pamje më të plotë dorëshkrimeve në këtë ekspozitë u paraqitën edhe 28 panele fotografike, që jepnin një informacion më të detajuar dhe më të zgjeruar të brendësisë së Kodikëve. Ekspozita "Dorëshkrime Bizantine dhe Pasbizantine në Shqipëri", u organizua nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Fondacioni Grek i Kulturës, Fondacioni Kulturor i Bankës Kombëtare të Greqisë, si dhe nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, dhe do të qëndrojë e hapur deri në 4 qershor./s.s./
KOMENTE