English

Meta: Është koha për dialog, PS të reflektojë

Tiranë, 04 maj, NOA – Në qëndrimin e tij për grevën e urisë Zëvendëskryeministri dhe Ministrit i Punëve të Jashtme, Ilir Meta nuk i ka kursyer kritikat dhe përdorimin e që Kryetari i PS-së, Edi Rama po u bënë grevistëve, por ana tjetër ka bërë thirrje për dialog.

Në komunikimin e sotëm me mediat, Meta u bëri thirrje drejtuesve të Partisë Socialiste që nuk janë pjesë e grevës së urisë, të reflektojnë dhe të tregojnë më shumë përgjegjësi, në një moment kaq të rëndësishëm për vendin kur të gjithë kanë zgjedhur alternativën e integrimit evropian.

“Duhen evituar alternativat të cilat janë bërë publike për të zgjedhur midis jetës apo vdekjes, sepse unë besoj se të gjithë në këtë vend kanë zgjedhur alternativën e integrimit evropian, ku besoj se kjo është një zgjedhje edhe e Partisë Socialiste”, u shpreh Meta.

Në këtë situatë z. Meta kur palët vazhdojnë të jenë të ngurta në qëndrimet e tyre, a mendoni se do të respektohet ligji apo do të ketë një marrëveshje? Cila sipas jush është zgjidhja?

Unë mendoj se zgjidhja është bërë e qartë; duhet respektuar kërkesa dhe parimi i transparencës, natyrisht në përputhje me kushtetutën e vendit dhe parimet e shtetit të së drejtës. Unë besoj se në këtë kombinim ekziston një hapësirë e mjaftueshme dhe jam i bindur që greva nuk ndihmon në ecjen përpara, përkundrazi, ajo krijon një barrikadë do të thoja artificiale, e cila natyrisht që nuk është as në interesin e vetë organizatorëve të kësaj greve, as në interesin e atyre që kanë vendosur që sakrifikojnë. Por edhe një herë tjetër, do doja ti ftoja ata që janë jashtë kësaj greve, të cilët kanë përgjegjësitë më të mëdha edhe për ata që janë në grevë, të punojnë për një zgjidhje demokratike, për një zgjidhje e cila jo vetëm që nuk cënon shëndetin e asnjërit prej grevistëve por që ndihmon investimin në mënyrë pozitive të opozitës dhe të të gjithëve për të ecur përpara në realizimin e kërkesave të tyre, natyrisht edhe në respekt të ligjeve në fuqi dhe të kushtetutës të vendit.

Zoti Meta, këtë këshillë ia jepni Partisë Socialiste si numri dy i mazhorancës, i Qeverisë, apo si një ish opozitar që keni vuajtur të njëjtat kushte në grevën e fundit për të njëjtat arsye?

Nuk dua të hyj në arsyet dhe as të bëj paralelizma, por e theksoj se të ofrosh alternativa midis jetës dhe vdekjes, qoftë edhe në mënyrë figurative është krejtësisht e papranueshme për të gjithë, sidomos në këtë moment kur të gjithë kemi vetëm një alternativë që na çon përpara, që na bashkon të gjithëve, që është integrimi evropian i vendit. Ndaj dhe kjo situatë duhet tejkaluar me një sjellje më evropiane dhe për këtë nuk kanë munguar as këshillat apo sugjerimet e partnerëve tanë.

Zoti Meta, edhe z. Pierre Mirel dje, ka deklaruar se kjo grevë është në momentin e papërshtatshëm, keni një koment për këtë?

Natyrisht që ky moment është për dialog, ky moment është për zgjidhje që vjen përmes dialogut dhe respektimit të institucioneve, sepse institucionet i përkasin të gjithë vendit dhe si të tilla, krijimi dhe konsolidimi i tyre është meritë e gjithë forcave politike, ashtu sikurse edhe mangësitë janë përgjegjësi e të gjithë forcave dhe aktorëve politikë. Në këtë drejtim unë do të shpresoja në një reflektim dhe në mundësinë e rivendosjes së një dialogu të shpejtë për ta kaluar këtë situatë.

Fund

KOMENTE