English

Berisha Thekson Gatishmërinë E Qeverisë Shqiptare Për Një Bashkëpunim Të Ngushtë Me Maqedoninë

-Kryeministri Berisha priti zv/kryeministrin e Maqedonisë, z. Abdylaqim Ademi- TIRANE, 5 Maj/ATSH/.- Kryeministri Berisha theksoi sot, gjatë takimit me zv/kryeministrin e Maqedonisë, Abdylaqim Ademi, qëndrimin dhe gatishmërinë e qeverisë shqiptare për një bashkëpunim të ngushtë në të gjitha fushat me vendin mik, Maqedoninë. Zyra e shtypit e Kryeministrit bëri të ditur se në një prononcim për mediat pas takimit me z. Ademi, Kryeministri Berisha tha se në takim u diskutua gjerësisht mbi marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë midis dy vendeve dhe për hapësirat e mëdha për shtytjen më përpara të këtyre marrëdhënieve. Kryeministri Berisha vlerësoi të gjitha arritjet e reformave të rëndësishme dhe të shumta që janë bërë në Maqedoni, në veçanti "progresin e ndjeshëm që është shënuar në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, si një marrëveshje e cila përbën një themel shumë të fortë ligjor për paqen dhe stabilitetin e Maqedonisë". Kreu i qeverisë shqiptare konsideroi se "zbatimi i plotë i saj është interesi më i mirë jo vetëm i shqiptarëve, por edhe i mbarë qytetarëve të këtij vendi mik". "Dua të theksoj se për Shqipërinë, për shqiptarët dhe për rajonin, paqja, stabiliteti dhe integriteti i Maqedonisë janë të një rëndësie parësore, janë interesi jetik", tha Kryeministri Berisha. Gjithashtu, Kryeministri Berisha vlerësoi dhe i konsideroi realisht pozitive hapat e marra nga të dy vendet fqinje dhe mike(Greqi-Maqedoni) për zgjidhjen e problemeve që janë të lidhura me emrin dhe "këto vende do të hapin një kapitull të ri në të gjitha marrëdhëniet bilaterale midis tyre, por edhe në integrimin e Maqedonisë në NATO, në Bashkimin Evropian dhe kudo". Ndërsa zv/kryeministri i Maqedonisë, Abdylaqim Ademi, falënderoi Kryeministrin Berisha për përkrahjen që u ka dhënë deri më tani në veçanti shqiptarëve, por edhe për përkrahjen që i ka dhënë në përgjithësi Maqedonisë, në të gjitha proceset drejt integrimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Ai e njohu Kryeministrin Berisha me dy çështje shumë të rëndësishme për Maqedoninë, së pari, me implementimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe së dyti, edhe për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë. Ademi tha se bashkë me Kryeministrin Berisha konstatuam se stabiliteti i secilit vend në rajon është i rëndësishëm, sepse çdo ngjarje dhe çdo ndodhi që ndodh në vendet tona fqinje mund të ketë reflektime edhe në vende të tjera. /s.s./
KOMENTE