English

Ekstradohet Nga Italia Një Person I Dënuar Për Shfrytëzim Prostitucioni

TIRANE, 5 Maj/ATSH/.- Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana ekstradoi sot pasdite nga Milano (Itali)shtetasin Ferdinand Etemaj, 42 vjeç, lindur në Berat, i dënuar për shfrytëzim prostitucioni. Burime nga Policia e Shtetit bënë të ditur se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat, me vendimin nr. 144, datë 4 nëntor 2004, e ka dënuar 42 vjeçarin Etemaj me 9 vjet burg për kryerjen e veprës penale te "shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese". Ngjarja për të cilën akuzohet Etemaj ka ndodhur në vitin 1996, kur ai ka marrë me vete në Itali shtetasen J. A., duke i premtuar martesë me vëllain e tij, Edmond Etemaj. Por, pasi kanë mbërritur atje, dy vëllezërit Etemaj kanë ushtruar dhunë fizike mbi shtetasen J.,A, duke e detyruar të punojë si prostitutë në rrugët e Torinos për tre vjet. Mësohet se arrestimi i shtetasit Ferdinand Etemaj u bë i mundur më 4 nëntor 2008 si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Romën, me qëllim ekstradimin e tij drejt vendit tonë për vuajtjen e dënimit të dhënë nga drejtësia shqiptare. /s.s./
KOMENTE