English

Skandal financiar me dy shoqëri maqedonase në Tiranë

Tiranë, 6 Maj 2010 NOA - Drejtoria Kundër Krimit Financiar në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Njësinë e Përbashkët Hetimore të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, finalizuan ditën e sotme operacionin policor të koduar “Rruga pa sukses”.

Në kuadër të operacionit, u bë arrestimi i dy kosovarëve, Valon Bajram Kyçyku, 35 vjeç, lindur dhe banues në Prizren dhe Burim Elez Haxhiolli, 31 vjeç, lindur dhe banues në Suharekë.

Ndaj tyre, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me Burg”, pasi akuzohen për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit, në dëm të disa personave, më shumë se një herë” parashikuar nga neni 143 i Kodit Penal.

Drejtoria Kundër Krimit Financiar në Policinë e Shtetit, tha se pas një hetimi disa mujor, të kryer në bashkëpunim me Njësinë e Përbashkët Hetimore të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka rezultuar se dy kosovarët mashtronin qytetarët shqiptarë duke i rekrutuar, sipas një skeme mashtruese me pretekstin e trajnimeve në fushën e biznesit.

Valon Kyçyku dhe Burim Haxhiolli u kërkonin viktimave të mashtrimit të tyre të paguanin nga 2.290 Euro për t’u anëtarësuar në këtë shoqëri, me premtimin se do të pasuroheshin vetëm nëpërmjet rekrutimit të tre qytetarëve të tjerë nga secili prej tyre.

Këtë aktivitet të paligjshëm këta shtetas e kanë kryer në Shqipëri si përfaqësues të shoqërive “Euro Life Dooel” dhe “Gem Colection” me seli në Shkup.

Valon Kyçyku dhe Burim Haxhiolli janë arrestuar para fillimit të një seminari të radhës në një nga lokalet e Tiranës.

Në momentin e arrestimit, këtyre shtetasve ju gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale dokumentet që i implikojnë në këtë veprimtari mashtruese, 3 automjete që kishin blerë me këto para, si dhe 10 aparate celularë.

Policia e Shtetit tha se po vazhdon kryerja e veprimeve hetimore në bashkëpunim dhe me autoritet policore rajonale ndaj një numri të konsiderueshëm shtetasish shqiptarë dhe të vendeve fqinj, të përfshirë në këtë skemë mashtruese.

Në sajë të këtij operacioni u bë i mundur parandalimi i mashtrimeve të tjera në dëm të qytetarëve shqiptarë dhe në këtë kontekst Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit tha sot se fton dhe njëherë të gjithë qytetarët shqiptar që të tregohen të kujdesshëm dhe të mos bien viktimë e mashtrimeve të këtij lloji dhe për çdo rast të kontaktojnë me strukturat e policisë.

r.n/NOA

KOMENTE