English

Kush është ballabani i lirisë dhe i demokracisë

Këtu në të djathtën time e në të majtën tuaj, ndodhet një zyrë. Brenda asaj zyre është ballabani i lirisë dhe i demokracisë. Është njeriu që u shit si shpresë në 1991 dje që tradhtoi shpresën europiane të të gjithë shqiptarëve

Nga Gramoz Ruçi

Kryetar i Grupit Parlamentar të PS / Foto: LSA

Ja ku jemi përsëri këtu përpara kësaj kështjelle, ku heronjtë tanë të fjalës dhe të veprës, heronjtë e sakrificës dhe sublimin e sotëm dhe të nesërm të fitores të të gjithë shqiptarëve. Prandaj doja ti thërrisja emër për emër të gjitha ato zonja të nderuara dhe të respektuara të cilat sakrifikojnë në emër të lirisë dhe të drejtave tuaja.

Dua të thërras emër më emër të 202 grevistët, heronj që po sfidojnë me urinë e tyre këtë pushtet të uritur për pushtet.

Më lejoni të bie në gjunjë përballë këtyre heronjve. Të bie në gjunjë përpara këtij akti që të rikujton vetëm krenaritë tonë më të thella kombëtare dhe historike.

Të kujton moshatarët e tyre me dritë dhe shpirt që luftuan dhe shporrën antifashizmit, të kujton moshatarët e tyre me dritë dhe me shpirt dhe me mendje të kthjellët që përmbysën sistemin për të ndërtuar një Shqipëri që të gjithë e dëshirojmë si gjithë Evropa.

Më lejoni të mbështes me shumë respekt dhe me mirënjohje, secilin prej jush që ndodhet sot këtu për të protestuar në emër të dritës, në emër të drejtësisë, në emër të së vërtetës.

Më lejoni të përshëndes çdo shqiptar që sot ka sytë, ka mendjen, ka zemrën në këtë bulevard, ku po shkruhet një histori. Ku po shkruhet një histori e re për të ndryshuar përfundimisht historinë e vjetër.

E pra vëllezër dhe motra liria jonë dhe demokracia e këtij vendi sot është në rrezik. Liria dhe demokracia mund të vihen përkohësisht në pranga. Liria dhe demokracia mund të shpërndahet përkohësisht me tollona.

Liria dhe demokracia mund të mbahet përkohësisht e kyçur në kutitë e votimit, por do të vijë patjetër një ditë ku liria dhe demokracia e re do të triumfojë. Do të vijë përsëri ajo ditë ku liria dhe demokracia do të vendoset në piedestalin që e ka ngritur kushtetuta e vendit, do të vijë patjetër ajo ditë kur liria dhe demokracia do të bëhen të vërteta. Kjo është arsyeja e vërtetë që ju jeni prej 8 ditësh këtu.

Do të vijë dita kur këto fjalë do të kenë po atë kuptim që kanë në djepin tyre të lirisë në SHBA dhe në europë. Dhe kjo ditë po vjen në mënyrë përfundimtare dhe të pakthyeshme në Shqipëri falsë sakrificës së pashoqe të këtyre motrave dhe vëllezërve tanë në këto çadra që i kthyen në kështjella të lirisë, në kështjella të demokracisë, falë solidaritetit të ju qytetarëve shqiptarë.

Këtu në të djathtën time e në të majtën tuaj, ndodhet një zyrë. Brenda asaj zyre është ballabani i lirisë dhe i demokracisë. Është njeriu që u shit si shpresë në 1991 dje që tradhtoi shpresën europiane të të gjithë shqiptarëve. Erdhi duke na thënë se është bashkëfajtor dhe bashkëvuajtës si çdo shqiptar.

Sot e njëzet vjet më pas, ky njeri është fajtori i vetëm i krizës që ka kapur këtë vend prej fyti. Sot e njëzet vjet më pas ky njeri është barku i infektuar që ka pjellë vazhdimisht të gjitha të ligat që kemi përjetuar kur prisnim të jetonin ndryshe.

Ky njeri është barku i infektuar që ka gëlltitur pronat e shqiptarëve, që i ka mohuar të drejta sipas ligjit shqiptarëve, që ju ka rrëmbyer paratë shqiptarëve nëpërmjet qeverisjes së tij piramidale, që ka nxjerrë armët në rrugë në 1997 në rrugë, që ka shpërthyer Gërdecin duke marrë jetë fëmijësh dhe ne na ka lenë mbrapa gardhit të ambasadave për viza.

Ky njeri që sot është mbyllur në kryeministri duhet të kuptojë se kjo godinë nuk është kulla e tija. Duhet të kuptojë se kjo godinë është pronë e këtij populli, që kërkon të dijë se deri kur një pushteti i votës së vjedhur do të vazhdojë të vjedhë.

(*) Pikëpamjet janë qëndrime personale

KOMENTE