English

Mbaj të njëjtin numër, duke ndryshuar kompaninë celulare

Tiranë, 07 Maj, NAO - Ofrohet një mundësi më shumë për të paguar çmime edhe më të lira në shërbimet e telefonisë celulare. Do të jetë konsumatori ai që do të zgjedhë kompaninë që ofron çmimet më të leverdisshme.

Për një pagesë simbolike prej 600 lekë të reja dhe brenda 24 orësh çdo përdorues i telefonisë celulare mund të zgjedhë vetë kompaninë pa e ndryshuar numrin që ka. Ky proces që quhet portabilitet i numrit do të bëhet efektiv brenda vitit.

Rudolf Papa, këshilltar ligjor në Agjencinë e Komunikimeve Elektronike thotë se ka përfunduar rregullorja e posaçme dhe pritet që të ngrihet baza e të dhënave e cila administrohet nga një kompani private që përzgjidhet me tender të hapur dhe do të mbikëqyret nga AKEP.

“Me shpejtësi të madhe po shkurtohet çdo hap i mundshëm, burokratik në aspektin procedurial dhe ajo që mund të themi me siguri është që brenda këtij viti do ti ofrohet konsumatorit”, bën të ditur Rudolf Papa, këshilltar ligjor i AKEP.

Portabiliteti i numrit është mundësia që kompanitë e tregut të konkurrojnë realisht mes tyre duke ofruar shërbime më të lira e më cilësore. Sipas Papës, nëpërmjet këtij procesi mundësohet kalimi nga një rrjet tek një rrjet tjetër duke ruajtur numrin dhe në këtë mënyrë lëvizja ka një sens të caktuar, pra, ka një synim, që natyrisht i referohet tarifave më të ulëta dhe shërbime më të mira.

Pra, sipas tij është e kuptueshme që secili nga këta operatorë do të jetë shumë i interesuar t'iu ofrojë konsumatorit shërbime sa më cilësore dhe me tarifa sa më të ulëta. Portabiliteti i numrit aplikohet në të gjithë vendet e rajonit. AKEP po shfrytëzon për futjen e këtij shërbimi përvojën e Kroacisë.

r.l/NOA

KOMENTE