English

Sport-Futboll/ Finalja E Kupës, Shpresa E Sezonit Për Besën Dhe Vllazninë

- Rivalët, heshtje për shtyp për t'u përqendruar maksimalisht tek objektivi - TIRANË, 7 Maj / ATSH- Gjergji Mima/- Skuadrat e Vllaznisë së Shkodrës dhe Besës së Kavajës po bëjnë përgatitjet e fundit për finalen e Kupës së Shqipërisë, që do të zhvillohet të dielën në orën 20:30, në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa". Ky trofe do të thotë mjaft për sezonet e të dyja skuadrave. Besa sheh tek Kupa kurorëzimin e një sezoni pozitiv në të cilin mban vendin e dytë në kampionat dhe është pranë kualifikimit për në Ligën e Evropës. Liga e Evropës, e cila për skuadrën e Vllaznisë mund të arrihet vetëm në rast se fitohet Kupa e Shqipërisë. Shkodranët, ndryshe nga kavajasit kanë zhvilluar një sezon jo pozitiv, po që në fazën e tretë ka qenë disi më pozitiv dhe tashmë Vllaznia renditet në mesin e tabelës së klasifikimit të Superligës. Rëndësia e kësaj përballje është e madhe për të dy ekipet, të cilat në këtë prag-sfidë ngjajnë me një "bunker". Drejtuesit përkatës të të dy klubeve kërkojnë të mbajnë sa më larg futbollistëve të tyre presionin e madh dhe atmosferës së ndezur. I gjithë përqendrimi i lojtarëve në këtë periudhë duhet të shkojë për parapërgatitjen ideale në prag të finales. Ata që flasin janë vetëm presidentët, të cilët përveçse lartësojnë kualitetet e ekipeve të tyre, flasin për premio të majme. Nga njëra anë Valter Fushaj i Vllaznisë ka deklaruar një shpërblim prej 50 milionë lekësh të vjetra, nëse djemtë e Edi Martinit do të fitojnë të drejtën për të ngritur Kupën. Por kjo shumë mund të shtohet, pasi drejtuesit shkodranë i kanë bërë thirrje bashkisë së qytetit të tyre dhe dashamirësve të Vllaznisë, të kontribuojnë në rritjen e premios. Nga ana tjetër, kundërpërgjigjja e presidentit të Besës, Nexhat Bizhdilit është e menjëhershme. Ai u ka premtuar lojtarëve të tij një premio të majme në prag të finales. Por përveç premiove, ndeshja e nesërme vlen 290 mijë euro, pasi kjo është shuma që përfiton skuadra e cila kualifikohet në fazën e dytë të Ligës së Evropës si fituese e Kupës së Shqipërisë Ndërkohë që gjendja e ekipeve është e ndryshme ën prag të kësaj finaleje. Teksa kavajasit vijnë në këtë sfidë pa dëmtime dhe mungesa, tek Vllaznia situata duket më e vështirë. Pas Liridon Lecit të skualifikuar, trajnerit Martini do t'i duhet t'i bëjë llogaritë pa mbrojtësin malazez, Mervjaleviç, i cili ka pësuar një dëmtim në gju. Ky është një problem për teknikun shkodran, i cili e kishte llogaritur malazezin si alternativën zëvendësuese për Lecin e skualifikuar. Po ashtu në dyshim është edhe portieri Grima.
KOMENTE