English

Sport-Futboll/ Lorik Cana "Lojtari Më I Mirë" Kundër Mancester United

TIRANË, 7 Maj / ATSH- Gjergji Mima/- Mesfushori i Kombëtares shqiptare dhe njëkohësisht kapiten i ekipit anglez të Sandërlendit, Lorik Cana, e ka kaluar plotësisht dëmtimin në ije dhe duket se është rikthyer në formën më të mirë. Kjo konfirmohet nga fakti se mesfushori është shpallur si "Lojtari më i Mirë" në anketën e tifozëve të Sandërlendit në faqen zyrtare të klubit (safc.com), për ndeshjen e fundjavës që kaloi përballë Mançester Junajtid, të humbur me rezultatin 1-0. Kapiteni i Sandërlendit ka marrë gjysmën e votave të tifozëve, që morën pjesë në anketën e zakonshme të organizuar në faqen zyrtare të klubit të Premiershipit, ndërsa pas tij u renditën Malbrank dhe Henderson. Kjo është hera e 13-të që 27-vjeçari shpallet si lojtari më i vlefshëm në ndeshjet që Sandërlendi ka zhvilluar në kampionat, por edhe në kupa. Cana kishte shkëlqyer edhe në ndeshjen e mëparshme kundër Mançesterit në sfidën e luajtur më 3 tetor 2009 në "Olld Traford", e cila përfundoi në barazim 2-2. Të dielën Sandërlend do të luajë në transfertë ndeshjen e fundit në Premier Ligë ndaj Uolverhamptonit dhe kapiteni Cana pritet të luajë si titullar. Më pas Cana do të grumbullohet me Kombëtaren shqiptare për miqësoret ndaj Malit të Zi në Podgoricë në 25 maj dhe ndaj Andorrës në Tiranë në 2 qershor. /s.s./
KOMENTE