English

Tiranë: Studentët Protestë Përpara Bashkisë

- Studentë nga gjithë Shqipëria kërkuan nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama mospengimin e procesit të liberalizimit të vizave - TIRANË, 7 Maj /ATSH - Gjergji Mima/ - Studentë nga e gjithë Shqipëria, pjesë e Këshillit Kombëtar Studentorë të mbledhur në një protestë paqësore sot para Bashkisë së Tiranës, kërkuan ndalimin e veprimeve penguese të kryetarit të PS, Edi Rama për proçesin e liberalizimit të vizave. Sipas organizatorëve, protesta u zhvillua për ti thënë stop veprimeve të kryetarit të Bashkisë dhe të Partisë Socialiste, Edi Ramës që pengon rrugën e rinisë shqiptare drejt Evropës. "Jemi mbledhur sot me mijëra studentë në sheshin përpara Bashkisë së Tiranës në mënyrë që të gjithë së bashku t'i komunikojmë zotit Rama, se çdo i ri në Shqipëri kërkon integrimin dhe jo pengesa të pafundme", tha kryetari i Këshillit Kombëtar Studentor, Qamil Dika. Duke pranuar se rinia shqiptare është më pranë se kurrë ëndrrës që Shqipëria të jetë në Europën e Bashkuar dhe të përkrahë vlerat e saj, Dika tha se "zoti Rama vazhdon të jetë pengesa e vetme e kësaj ëndrre". "Prej 8 muajsh, zoti Rama duke shfrytëzuar në mënyrë çnjerëzore militantët e tij, po bën çdo përpjekje që kjo ëndërr të mos realizohet", përfundoi Qamil Dika Studentët kishin përgatitur 7 mesazhe ndaj Ramës, që sipas tyre janë të vlefshme me 7 ditët e pengmarrjes për çdo të ri dhe të re, që dëshiron të jetojë dhe të lëvizë i lirë./n.m/
KOMENTE