English

Policia aksion në Lazarat, konstatohet nisja e mbjelljes së hashashit

Gjirokastër, 8 Maj, NOA – Policia e Gjirokastrës ka kontrolluar ditën e sotme rreth 350 shtëpi në fshatin Lazarat për lëndë narkotike. Në përfundim të krehjes së gjithë zonës, 25 forcat e policisë, nuk kanë gjetur asnjë parcelë të mbjellë me hashash, por kanë konstatuar se banorët kanë nisur hapjen e gropave për mbjelljen e bimëve narkotike.

Kjo është përmbledhja e gjithë fazës së dytë të Planit të Veprimit të policisë, për të krehur çdo pëllëmbë tokë në çdo cep të qarkut me qëllim parandalimin e kultivimit të lëndëve narkotike.

Policia sqaron se operacioni i policisë ka nisur sot në 10.00. Operacioni është koordinuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër.

Sipas policisë është zgjedhur Lazarati për nisjen e fazës së dytë të kontrollit, duke qenë se është një prej zonave më problematike në vend për mbjelljen e hashashit.

“Rreth 25 forca të Policisë së Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër , Patrullat e përgjithshme të policisë që kryejnë patrullim në territorin e komunës Lazarat , të drejtuara nga Drejtori i Policisë së Qarkut Gjirokastër Drejtues i Parë Emri Vata, si dhe me mbështetjen e Kryetarit të Komunës Lazarat Dasho Aliko dhe kryepleqëve të këtyre lagjeve, kanë nisur krehjen e çdo baçeje të çdo banori në fshatin Lazarat”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia ka kontrolluar rreth 350 shtëpi në dy lagje të këtij fshati dhe konkretisht në Lagjen e Re dhe në Lagjen Gjokaj.

Edhe pse më parë hyrja e forcave të policisë në këtë fshat ka shënuar dhe incidente me policinë, gjatë ditës së sotme, nuk është shënuar asnjë incident.

“Si rezultat i krehjes së këtyre dy lagjeve të fshatit Lazarat , forcat e policisë nuk kanë evidentuar asnjë baçe apo parcele të kultivuar me bimë narkotike, por u konstatuan disa baçe ku ishin hapur gropat dhe ishin bërë gati për tu kultivuar me bimë narkotike, por si rezultat i masave të marra nga ana e policisë gjatë ditëve të kaluara, duke thirrur në ambientet e policisë të gjithë ata persona që kishin tendencë për të kultivuar bimë narkotike , ka bërë që këta banorë të heqin dorë nga kultivimi i bimëve narkotike, gjë e cila u konfirmua dhe gjatë ditës së sotme gjatë krehjes së baçeve në fshatin Lazarat”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia sqaron se për të parandaluar mbjelljen e bimës narkotike, do të ketë të tjera kontrolle, “dy apo tre herë në çdo muaj”.

Ndërsa kontrollet do të vijonë në lagjet e tjera të fshatit gjatë datës 10 maj.

m.xh/NOA

KOMENTE