English

Sport-Dossier/ Finalja E Kupës, Besa Kërkon Revanshin Ndaj Vllaznisë Për Humbjet Në Dy Finalet E Mëparshme

- Vllaznia është për herë të 13-të në finale, ku në 12-të të parat ka fituar 6 dhe ka humbur po 6, Besa në 7 finalet e mëparshme ka humbur 6 dhe ka fituar vetëm 1 - TIRANË, 8 Maj / ATSH- Gjergji Mima/ - Kur në vitin 1972, Vllaznia e Besa u ndeshën për herë të parë midis tyre në një finale të Kupës së Shqipërisë, të gjithë shtruan pyetjen: "Kush do ta fitojë trofeun?" Atëherë për Besën ajo ishte finalja e katërt: tri të parat i kishte humbur me Partizanin, 17 Nëntorin (Tiranën e sotme) dhe me Dinamon. Për Vllazninë bëhej fjalë për finalen e peste, teksa në katër të parat kishte fituar vetëm një herë, në vitin 1965 (mposhti Skënderbeun), ndërsa kishte humbur tri të tjerat: që të tri me Partizanin (rekordmeni aktual i Kupës). Vllaznia e mbylli sezonin 1971-1972 si kampione e vendit (titulli i tretë i saj, trajner Xhevdet Shaqiri), ndërsa Besa në vendin e gjashtë nga 14 skuadra që kishte kampionati. Edhe pse favorite shihej Vllaznia, shkodranët humbën 2-0 në Kavajë në takimin e parë. Në ndeshjen e kthimit në Shkodër, Vllaznia barazpeshoi shifrat me dy penallti të realizuar nga Ramazan Rragami. Për të përcaktuar fituesin pas kohës shtesë u gjuajtën penalltitë: Vllaznia fitoi 5-3, por e veçanta e tyre njëherësh edhe e kësaj finaleje janë (dhe mbetet një rekord unikal), është fakti se pesë penalltitë e kuqebluve u realizuan nga Ramazan Rragami, që duke i shtuar edhe dy 11-metërshat e shënuar gjatë lojës e shkelmoi shtatë herë topin nga pika e bardhë. Për Vllazninë ky ishte trofeu i dytë (pas atij të vitit 1965), ndërsa për Besën finalja e katërt e humbur. Pas dhjetë vjetësh, Besa e Vllaznia u përballën sërish për të diskutuar finalen e dytë direkte midis tyre, pikërisht në edicionin 1981-1982. Besa nuk kishte diskutuar më finale të tjera, ndërkohë që Vllaznia kishte fituar trofeun e katërt në vitin 1979 (ndaj Dinamos). Në kampionatin 1981-1982, Vllaznia e mbylli duke u pozicionuar në vendin e 4-t, ndërsa Besa në të 7-in. Besa fitoi ndeshjen e parë 2-1 në Kavajë, ndërkohë që Vllaznia përmbysi gjithçka në Shkodër: 5-1, edhe pse kavajasit i kishin çuar përkohësisht shifrat e përgjithshme 3-1 (shënoi Shtini 43'), përpara se shkodranët të shënonin pesë gola në harkun e 14 minutave (Luçi 73', Hafizi 74', Gruda 78', Hafizi 82', Duraj 86'). Vllaznia regjistroi finalen e katërt të fituar (1965, 1972, 1979, 1981), ndërsa Besa finalen e pestë të humbur. U desh të kalonin gati 18 vjet, që të dyja skuadrat të diskutojnë midis tyre finalen e tretë historike. Pikërisht, më 9 maj në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa" . Por ndërsa në finalen e vitit 1972 dhe 1982, Vllaznia përballej si favorite ndaj Besës dhe i fitoi të dy trofetë, në vitin 2010, është Besa ajo që shihet si favorite pasi mban vendin e dytë në kampionat kundrejt të gjashtit të shkodranëve./s.s./
KOMENTE