English

Sport-Koment/ Lojtarët E Rinj, Të Domosdoshëm Për Kombëtaren Shqiptare

TIRANË, 8 Maj / ATSH- Gjergji Mima/ - Mosha mesatare e Kombëtares shqiptare të futbollit po rritet dhe talentet e reja për të zëvendësuar ata që kanë mbajtur deri tani peshën e skuadrës, nuk po japin akoma siguri. Emrat e rinj në listën e Kuzhes jane të shumtë, si Bakaj, Lika apo Vila , por gjithsesi, janë akoma "garda e vjetër" që konsiderohen si shtylla e kombëtares shqiptare. Talenti i këtyre lojtarëve të rinj është i padiskutueshëm, por një gjë që u mungon pjesës më të madhe të tyre është përgatitja fizike dhe eksperienca në kampionate të forta dhe kompetitive. Dhe kjo gjë është e pamundur që ata ta arrijnë në kampionatin shqiptar. Për këtë arsye lojtarë të stërvitur e të rritur në nivele të larta si Edgar Cani dhe Migjen Basha në Itali apo Besian Idrizaj në Angli, janë të domosdoshëm për Shqipërinë. Cani është një sulmues i njohur në Itali dhe ka luajtur në nivele të larta në kampionatin italian. Basha është mesfushor me cilësi të mira teknike, ndersa Idrizaj është një sulmues i fortë që mund të konkurrojë patjetër për një vend titullari në sulmin kuqezi, ku tani për tani zgjedhet e vetme janë Bogdani, Salihi dhe rrallëherë edhe Kapllani. Shembulli më i mirë i futbollistit shqiptar të formuar jashtë Shqipërisë është Lorik Cana. Një lojtar i formuar në Europë. Dhe diferenca e tij në përgatitjen fizike është shumë e madhe në krahasim me të gjithë lojtarët e tjerë të ekipit Kombëtar. Ai arrin të konkurrojë si i barabartë edhe në Premier Ligën angleze, një nga kampionatet më të fortë në botë. Kështu që ardhja e këtyre lojtarëve të rinj në Kombëtare do të jetë një plus i padiskutueshëm për trajnerin Kuzhe. Gjithashtu afrimi i tyre sa më i shpejtë do t'u shërbeje edhe vetë lojtarëve për t'u ambientuar me grupin kuqezi./s.s./
KOMENTE