English

Berisha: Në 3 Vitet E Ardhshme, Paskuqani Do Të Shndërrohet Në Një Prej Qyteteve Moderne Të Vendit

- Kryeministri Berisha përuron disa objekte të rëndësishme infrastrukturore në Bashkinë e Paskuqanit - TIRANË, 9 Maj/ATSH-Maela Marini/.- Kryeministri Sali Berisha përuroi sot pasdite, disa objekte të rëndësishme infrastrukturore në Bashkinë e Paskuqanit, pak kilometra larg Tiranës, ku garantoi qytetarët se "në 3 vitet e ardhshme ky vend do të shndërrohet në njërin prej qyteteve më moderne të Shqipërisë". Kreu i Qeverisë mori pjesë sot në përurimin e segmentit verior të unazës së Paskuqanit, me gjatësi 1.7 km dhe vlerë investimi prej 70 milionë lekë. Unaza e Paskuqanit ka një gjatësi prej 6.4 km, dhe deri tani është kryer 85 % e punimeve edhe në dy segmentet e tjera të cilat pritet të përfundojnë së shpejti. Kryeministri Berisha përuroi gjithashtu edhe përfundimin e fazës së parë të punimeve në ujësjellësit Paskuqan 1 dhe Paskuqan 2, me vlerë investimi 87 milionë lekë, si dhe fillimin e fazës përfundimtare të punimeve në këto ujësjellësa me vlerë 97 milionë lekë. Në takimin me banorët e Paskuqanit, Kryeministri Berisha theksoi se "në 4 vjet janë asflatuar 16 km rrugë në qytetin e Paskuqanit". Ai premtoi se "në 3 vitet që vijnë nuk do të ketë asnjë km rrugë të paasfaltuar në mbarë Paskuqanin". "Katër vjet më parë kam ardhur në Paskuqan që është pak km larg Tiranës dhe po 4 vjet më parë jam ngjitur në Martanesh që është në bjeshkët e Martaneshit. Këto dy vende kishin të përbashkët rrugët e mundimshme dhe kjo sepse edhe këtu, ngjitur me Tiranën, për pushtetin qytetarët ishin më larg se Martaneshi", tha Kryeministri Berisha. Të jesh qytetarë i Shqipërisë europiane, sipas Kryeministrit Berisha "do të thotë që para së gjithash të kesh një infrasktrukturë moderne në fshatrat dhe qytetet e vendit". "Katër vjet më parë fëmijët tuaj vuanin për shkolla dhe shërbim shëndetësor, ndërsa sot në Paskuqan janë në ndërtim 2 shkolla", tha Kryeministri Berisha, ndërsa siguroi se "Paskuqani do të ketë të gjitha standardet e një qyteti europian". Kryeministri kërkoi që të përfundohet sa më shpejt projekti që në territorin e liqenit artificial të Paskuqanit, një ndër më të mëdhenjtë në vend, të ndërtohet njëri prej parqeve më të bukura të Shqipërisë". Kreu i Qeverisë premtoi gjithashtu se "Paskuqani do të ketë qendrën e tij kulturore". Ai kërkoi që Kryetari i Bashkisë të paraqesë projektin dhe siguroi se "qeveria do financojë një pallat kulture ndër më modernët për qytetarët e Paskuqanit". Para banorëve, Kryeministri tha se "Bashkia e Paskuqanit disponon një territor prej disa hektarësh, i cili do të shndërrohet në një nga terrenet me aktive të sportit në këtë zonë". /f.n/
KOMENTE