English

Berisha: Shqipëria Është Në Ndërtim Dhe Jo Në Krizë

- Kryeministri Berisha përuron disa objekte të rëndësishme infrastrukturore në Bashkinë e Paskuqanit - TIRANË, 9 Maj/ATSH-Maela Marini/.- Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot, se "Shqipëria është në ndërtim dhe jo në krizë", ndaj u bëri thirrje atyre që u bien sirenave të krizës "të dalin nga kafazi dhe nga kutia dhe të njohin Shqipërinë që zhvillohet dhe ecën çdo ditë drejt idealit të saj europian". Kreu i Qeverisë përuroi sot pasdite, disa objekte të rëndësishme infrastrukturore në Bashkinë e Paskuqanit, pak kilometra larg Tiranës, ku në një takim me banorët siguroi se "qeveria do të vazhdojë investimet për ta shndërruar Paskuqanin në një qytetet me standarde europiane". "Sot për mbarë Europën është dita e idealit europian, dita e Bashkimit Europian, dita e madhe ku qytetarët e Europës nderojnë vlerat me të cilat u bashkuan njeri me tjetrin, pas Luftës së Dytë Botërore", tha Kryeministri Berisha. Kjo ditë, sipas tij "nderohet sot nga shqiptarët, që kanë idealin për Shqipërinë europiane, si projektin më të madh të këtij shekulli". Shqipëria europiane, tha Kryeministri, "është rikthimi i Shqipërisë në gjirin e familjeve të qytetëruara dhe të zhvilluara të perëndimit". "Sot ne kremtojmë këtë ditë më afër se kurrë në historinë tonë, me Europën. Ne kremtojmë ditën e Europës si një Shqipëri anëtare e NATO-s, si një vend që ka firmosur një kontratë historike me BE-në, si një Shqipëri që pret gjatë javëve dhe muajve që vijnë që qytetarët e saj të lëvizin pa viza në mbarë Europën", tha Kryeministri Berisha. Ai theksoi se "gjatë muajve që vijnë ne presim të fitojmë statusin e vendit kandidat për anëtarë në BE, por rruga jonë drejt Europës nuk ka qenë një rrugë e lehtë, por ka qenë një rrugë nderi, dinjiteti dhe suksesi". Rruga drejt Europës kalon vetëm nëpërmjet Shqipërisë europiane, tha Kryeministri Berisha, duke theksuar se "kjo rrugë është e sigurt sot, pasi në mbarë vendin janë në ndërtim dhe rindërtim qindra e qindra km rrugë, qindra shkolla, qendra shëndetësore dhe kulturore". "Sot sërish ka nga ata, që nga mëngjesi deri në darkë iu bien sirenave të krizës. Le tu themi këtyre zotërinjve se me se ndërtohen këto rrugë e shkolla. Ti ftojmë që të shikojnë dhe të mos bëjnë rolin e atyre që kanë sy dhe nuk shikojnë, se ajo është absolutisht marrëzi", tha Kryeministri Berisha. Duke theksuar se kriza zhvillohet vetëm në psiqikën e disa individëve, Kryeministri u shpreh se "në datën 1 korrik do të bëhet rritja më e madhe e rrogave dhe pensioneve në tërë historinë e vendit". Shqipëria reale, sipas Kryeministrit Berisha, "është Shqipëria që ecën e sigurt drejt Europës, Shqipëria e rrugëve dhe shkollave të reja, e punësimit dhe investimeve të reja". "Qytetarët shqiptarë së shpejti do lëvizin të lirë në mbarë Europën dhe Shqipëria reale ecën e sigurt drejt statusit të kandidatit, ndaj dhe dilni nga kafazi, dilni nga kutia dhe njihni Shqipërinë tjetër, që zhvillohet dhe ecën çdo ditë drejt idealit të saj europian", tha Kryeministri Berisha. /f.n/
KOMENTE