English

Poloni - Presidenti I Përkohshëm Shkon Në Katin

MOSKË, 9 maj /ATSH-AFP/ - Presidenti i përkohshëm i shtetit polak Bronislaw Komorowski shkoi sot në Katin, në perëndim të Rusisë për t'u bërë homazh mijëra oficerëve polakë të vrarë përpara 70 vjetëve me urdhërin e Josif Stalinit, njoftoi agjencia Itar-Tass. Komorowski, i shoqëruar nga kineasti polak Andrzej Wajda, vendosi lule në varrezën ushtarake në pyllin e Katinit, bëri të ditur agjencia. Ai u bëri homazh gjithashtu mijëra sovjetikëve, viktima të terrorit stalinist të viteve '30, që prehen përkrah patriotëve të tij në këtë pyll me pisha pranë Smolenskut, vazhdoi i njëjti burim. Edhe shumë polakë ndezën qirinj në varret e ushtarëve sovjetikë të rënë në Poloni gjatë Luftës së dytë Botërore në përgjigje të një thirrjeje të intelektualëve polakë "për pajtim mes Polonisë dhe Rusisë". Kjo thirrje e paprecedent u bë veçanërisht nga kineasti polak Andrzej Wajda, autor i filmit "Katyn" për masakrën e oficerëve polakë në Rusi në vitin 1940 dhe fituesja e çmimit Nobel për Letërsinë në vitin 1996, la poetesha Wislawa Szymborska. Kjo është një përgjigje ndaj gjesteve të solidaritetit të shumë rusëve pas katastrofës së avionit presidencial polak më 10 prill në Smolensk, në perëndim të Rusisë. Rreth 22 000 oficerë polakë janë vrarë nga policia politike e Stalinit, NKVD, në Katin, por edhe në Kharkiv (Ukrainë) dhe në Mednoïe (Rusi) në fillim të Luftës së Dytë Botërore. Komorowski, i cili mori pjesë në Moskë në ceremonitë me rastin e 65-vjetorit të fitores së aleatëve ndaj nazizmit, shpjegoi se dëshironte "të përfundonte vizitën" e e presidentit Lech Kaczynski, që "ishte fatale". Avioni i Kaczynskit u rrëzua më 10 prill në Rusi, pranë Smolenskut, ndërkohë që delegacioni polak po shkonte në një ceremoni përkujtimore në Katin. Të 96 personat në avion gjetën vdekjen në këtë katastrofë. /I.Pu.
KOMENTE