English

Fishë Teknike - Lindje E Mesme: Çështjet Kryesore Të Mosmarrëveshjeve Në Konfliktin Izraelito-Palestinez

JERUSALEM, 10 maj /ATSH-AFP/ - Rreth 17 vjet pas fillimit të procesit të paqes izraelito-palestineze në Oslo dhe pavarësisht disa arritjeve, mosmarrëveshjet kryesore mes palëve lidhur me një zgjidhje përfundimtare, hedhin dyshimin mbi të ardhmen e bisedimeve jo të drejtpërdrejta që filluan dje (të dielën). 1) KRIJIMI I NJË SHTETI PALESTINEZ DHE TË DREJTAT E TIJ: Palestinezët kërkojnë të shpallin në Cisjordani dhe në Rripin e Gazës një shtet që ka të gjitha atributet e sovranitetit. Izraeli kërkon çmilitarizimin e këtij shteti, kontrollin e hapësirës së tij ajrore dhe të kufijve të tij të jashtëm. 2) VIJA KUFITARE E ENTITETIT PALESTINEZ, FATI I KOLONIVE: Zyrtarisht, palestinezët kërkojnë një tërheqje të Izraelit nga të gjitha territoret e pushtuara që prej qershorit të vitit 1967, përfshirë Jerusalemin Lindor të aneksuar pas pushtimit. Presidenti palestinez Mahmud Abas kërkon "një shtet në vazhdimësi dhe të qëndrueshëm në kufijtë e vitit 1967". Megjithatë, ai është i gatshëm të pranojë modifikime të kufijve aty-këtu mbi bazën e shkëmbimeve territoriale me Izraelin. Izraeli përjashton kategorikisht një kthim në kufijtë e përpara vitit 1967, por është i gatshëm për tërheqje në Cisjordani. Ai parashikon të aneksojë "blloqet e kolonive" ku jetojnë më tepër se 300 000 kolonë. Palestinezët kërkojnë ndalimin e kolonizimit gjatë bisedimeve dhe më tej thjesht dhe vetëm shkatërrimin e tyre. Në vitin 2005, Izraeli shkatërroi në mënyrë të njëanshme të gjitha kolonitë nga Rripi i Gazës dhe katër koloni të izoluara në Cisjordani. Në nëntor, Izraeli ka njoftuar ndalimin e ndërtimit të kolonive të reja për 10 muaj në Cisjordani. 3) STATUSI I JERUSALEMIT: Izraeli e konsideron Jerusalemin, pjesa lindore e të cilit e banuar kryesisht nga arabë, si kryeqytetin e tij të "pandashëm dhe të përjetshëm". Autoriteti palestinez kërkon ta bëjë Jerusalemin Lindor, ku jetojnë 260 000 palestinezë dhe më tepër se 200 000 izraelitë, kryeqytetin e shtetit të tij. Gjatë bisedimeve të dështuara në Camp David në vitin 2000, kryeministri iraelit i asaj kohe, Ehud Barak, sugjeroi që lagjet periferike arabe të kalojnë nën sovranitetin e palestinezëve. Kjo ofertë nuk u mor parasysh nga qeveria aktuale e djathtë e Benjamin Netanjahut. Izraeli këmbëngul në ruajtjen e kontrollit të "Pellgut të shenjtë", që përfshin Qytetin e Vjetër, qendër e vendeve kryesore të shenjta të tre feve, islamit, hebraizmit dhe krishtërimit. Palestinezët, të mbështetur nga bota arabe dhe myslimane, janë kategorikisht kundër. 4) FATI I REFUGJATËVE: Ka më tepër se katër milionë refugjatë palestinezë. Bëhet fjalë për palestinezë të cilët janë larguar nga territori që u bë në vitin 1948 shteti i Izraelit ose të dëbuar prej tij nga forcat izraelite, si dhe nga pasuesit e tyre. Palestinezët gjithmonë kanë kërkuar që Izraeli të pranojë një të drejtë për kthim në kufijtë e tij, konform rezolutës 194 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Por, ata janë gati të diskutojnë për modalitetet duke marrë parasysh disa kërkesa të izraelitëve. Izraeli e kundërshton kategorikisht këtë "të drejtë për kthim" që, nëse zbatohet, do t'i jepte fund karakterit hebre të shtetit, pasi pas kësaj popullsia hebreje do të bëhej pakicë. Izraeli shprehet se e pranon vendosjen e këtyre refugjatëve në shtetin e ardhshëm palestinez. 5) KONTROLLI I BURIMEVE TË UJIT: Izraeli ka rezervuar një shtresë të madhe ujore nëntokësore në Cisjordani. Palestinezët kërkojnë një ndarje të drejtë, për të mbajtur parasysh rritjen më të shpejtë të popullsisë palestineze dhe mungesën kronike të ujit. 6) "KARAKTERI HEBRE" I IZRAELIT Netanjahu kërkon që palestinezët ta njohin Izraelin "si shtet të popullit hebre". Palestinezët e hedhin poshtë këtë kërkesë, zbatimi i të cilës do të thoshte për ta heqje dorë nga "e drejta për kthimin" e refugjatëve në Izrael. /I.Pu.
KOMENTE