English

Kosove - Eulex: Kemi Ofruar Informacionet Mbi Vendndodhjen E Mundshme Te Nje Varreze Masive Ne Rajonin E Rashkes

PRISHTINË, 10 Maj /ATSH-B.Jashari/.- Pas njoftimeve për gjetjen e një varreze masive në jug të Serbisë me trupat e rreth 250 shqiptarëve të Kosovës, EULEX-i deklaroi sot se i jep prioritet të lartë çështjes së krimeve të luftës, veçanërisht gjetjes së mbetjeve mortore të personave që janë ende të pagjetur nga konflikti i vitit 1998-99 dhe pas tij. "Ne, ka kohë që kemi qenë duke punuar konkretisht në këtë rast. Kemi ofruar informacionet dhe të dhënat operative lidhur me vendndodhjen e mundshme të një varreze masive në rajonin e Rashkës. Por jemi duke e pritur ende konfirmimin per nje gje te tille", theksohet në një komunikatë të EULEX-it, dhënë pak më parë. EULEX-i ka dy departamente kryesore që janë të angazhuara në kërkimin e vendndodhjeve të varrezave masive dhe në hetimin e rrethanave lidhur me to: Zyra për Personat e Pagjetur dhe Mjekësi Ligjore (OMPF) dhe Njësia e saj për Hetimin e Krimeve të Luftës. Të dy këto organizata kanë bashkëpunuar me autoritetet serbe lidhur me vendndodhjen e kësaj varreze. "EULEX-i beson se bashkëpunimi rajonal, jo vetëm me Serbinë, por edhe me palët e tjera rajonale, është shumë i rëndësishëm në përpjekjet për zgjidhjen e këtyre çështjeve të cilat rëndojnë mbi një numër të madh të njerëzve nga të gjitha komunitetet e ndryshme", thuhet në komunikatë. Zyra e Komisionit Qeveritar të Kosovës për Persona të Pagjetur ka njoftuar ditë më parë se nga fundi i muajit prill është vizituar një zone e dyshuar për varrezë masive në Medvegjë, po ashtu në jug të Serbisë. /a.ke/
KOMENTE