English

Axhenda Ndërkombëtare 11 Maj 2010

------------------------------------------------------------- NGJARJE KRYESORE ------------------------------- LONDËR - Ndjekje e bisedimeve për formimin e një qeverie në Mbretërinë e Bashkuara: kryeministri laburist i deritanishëm Gordon Brown po bën gjithçka për të larguar vëmendjen ndaj bisedimeve që po zhvillohen mes konservatorëve dhe liberaldemokratëve duke njoftuar fillimin e bisedimeve të reja "zyrtare" mes partisë së tij dhe liberaldemokratëve. PARIS/LONDËR/FRANKFURT/ATHINË/UASHINGTON/NJU JORK - Evolucion i tregjeve evropiane, një ditë pas rritjes spektakolare pas njoftimit të një plani historik prej 750 miliardë euro për të mbështetur zonën euro dhe për të shmangur një përhapje të krizës së borxhit grek. - Në Uashington, seancë në Dhomën e Përfaqësuesve lidhur me rënien në Wall Street më 6 maj (19:00). - Në Nju Jork, komisioneri evropian i ngarkuar me shërbime financiare, Michel Barnier, do të takohet me sekretarin për Thesarin Timothy Geithner dhe me presidentin e bankës qendrore, Ben Bernanke. TË TJERA --------------- LISBONË - Papa Benedikti XVI fillon një vizitë katër ditore në Portugali, në një kohë kur Kisha katolike, e përfshirë në skandalet e pedofilisë, po kalon një nga krizat më të rënda të historisë së saj. Mbërritja në Lisbonë në orën 10:00. Takim me presidentin portugez Anibal Cavaco Silva në orën 12:30. JERUSALEM/RAMALLAH - Ndjekje e bisedimeve jo të drejtpërdrejta mes izraelitëve dhe palestinezëve nën drejtimin e Shteteve të Bashkuara, që kanë mbetur në vend lidhur me çështjen tepër të ndjeshme të kolonizimit hebre në Jerusalemin Lindor të aneksuar. UASHINGTON - Presidenti afgan Hamid Karzai takohet me sekretaren amerikane të Shtetit Hillary Clinton (19:30), përpara një takimi të zhvilluar të mërkurën me homologun Barack Obama. BERLIN - Takim i ministrave të Mbrojtjes dhe shefave të shtabit të përgjithshëm të vendeve të ISAF-it të angazhuar në zonën veriore të Afganistanit. MADRID/LISBONË/PARIS/ROMË - Situata në hapësirën ajrore evropiane, e rënduar përsëri ditët e fundit nga reja e hirit të lëshuar nga vullkani islandez Eyjafjöll që kufizoi edhe dje pasdite mundësitë për fluturim në Spanjë. BANGKOK - Ndjekje e situatës në Tajlandë ku manifestuesit kërkojnë që zëvendëskryeministri të shkojë në polici, pas akteve të përgjakshme të dhunës më 10 prill, përpara se t'i japin fund lëvizjes së tyre. DAMASK - Përfundon vizita në Damask e presidentit Dmitri Medvedev, e para e një kreytari shteti rus në Siri. PARIS - Deputetët francezë votojnë një rezolutë që shprehet se mbulesa e plotë e femrave myslimane është në kundërshtim me vlerat republikane, përpara shqyrtimit në korrik të një projektligji të polemizuar që e ndalon atë në të gjithë hapësirën publike. MOSKË/MEJDUREÇENSK - Ndjekje e situatës pas një shpërthimi gazi në një minierë qymyri në Siberi, ndërkohë që zvogëlohet shpresa për gjetjen e të mbijetuarve mes 58 personave të cilët konsiderohen ende të zhdukur në aksident, bilanci i të vdekurve ka arritur në 43 persona. VJENË - Organizata e vendeve exportuese të naftës (Opec): raport mujor për majin. KIEV - Manifestim me thirrjen e ish-kryeministrit dhe opozitares Julia Timoshenko për të kërkuar shkrirjen e parlamentit dhe për të protestuar kundër marrëveshjes për mbajtjen e flotës ruse në Ukrainë. ZYRIH - Konferencë nën drejtimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, FMN dhe të Bankës Qendrore Zvicerane lidhur me sistemin monetar ndërkombëtar. /I.Pu.
KOMENTE