English

Kosovë- Gjetaj: Dyshohet Për Dy Varreza Masive Në Rudnicë Me 450 Trupa

PRISHTINË, 11 Maj /ATSH-B.Jashari/.-Komisioni Qeveritar i Prishtinës për Persona të Pagjetur bëri të ditur sot pasdite se ka informacione për më se 450 shqiptarë kosovarë të groposur në rajonin e Rudnicës, afër Rashkës në Serbi, pranë kufirit verior të Kosovës, ku Beogradi njoftoi dje zbulimin e varrezës masive me rreth 250 trupa. "Ne kemi informacione se atje janë dy varreza masive, njëra me 300, ndërsa tjetra me 150 trupa. Pra, bëhet fjalë për një numër shumë të madh, mbi 400 trupa", tha kryetari i Komisionit, Prenk Gjetaj, në një konferencë shtypi. Ai tha se informacioni ka ardhur nga një dëshmitar, i cili mbetet konfidencial, dhe që nga viti 2005 i është kërkuar Beogradit të zbardhet rasti, ndërsa në vitin 2007 kishte një gërmim atje, por ishte ndërprerë kërkimi. Gjetaj tha se janë edhe më se 1860 të pagjetur në Kosovë, prandaj duhet të hulumtohen e zbulohen të gjitha varrezat masive dhe vendet ku dyshohet se janë djegur kufomat për të zhdukur gjurmët e krimeve. Drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, Natasha Kandiç, në një deklarim sot për shtypin e Prishtinës ka përmendur numrin 20 të varrezave që mund të thuhet se mund të ekzistojnë në Serbi. Ajo ka cituar një nga oficerët e policisë serbe, i cili ka thënë vetë në gjykatë se "në Serbi ekzistojnë edhe shumë varreza masive". "Është e vështirë të gjenden të gjithë, dhe disa sigurisht nuk do të gjenden kurrë, sepse dyshohet se një pjesë janë djegur në Maqkaticë dhe në Obiliq, në Smederëve dhe në Nish", ka thënë Kandiç. Në konferencën për shtyp, ku u përmendën edhe deklaratat e znj.Kandiç, kryetari i Komisionit Qeveritar të Kosovës për Persona të Pagjetur, Prenk Gjetaj, bëri të ditur se në fund të prillit është vizituar një vend i dyshuar për varrezë masive në komunën e Medvegjës, në Luginën e Preshevës. Vizita është bërë nga një ekip nga Kosova, i përbërë nga anëtarë të Delegacionit të Prishtinës për bisedime me Beogradin në kuadër të Grupit Punues për Persona të Pagjetur dhe ekspertë vendorë e ndërkombëtarë. "Tani do të kërkojmë me procedura të rregullta që të lejohet edhe gërmimi në atë rajon, si vend i dyshimtë për ndodhjen e varrezës masive", u tha në konferencën për shtyp, ku para gazetarëve folën edhe Pajazit Nushi, kryetar i Delegacionit të Prishtinës dhe Arsim Gërxhaliu, ekspert mjeko-ligjor. Ata kërkuan që autoritetet kosovare të jenë të pranishme në procesin e nxjerrjes të trupave në varrezën masive në Rudnicë të Serbisë dhe që mbetjet mortore të sillen dhe ekzaminohen në Kosovë. Në Kosovë, në vitet 1998-'99 forcat serbe vranë e masakruan rreth 12 mijë shqiptarë, ndërsa mijëra të tjerë i zhdukën, duke i dërguar e groposur edhe në Serbi, apo edhe duke i djegur. Menjëherë pas luftës kanë rezultuar 5.650 persona të zhdukur. Pas zbulimit të disa varrezave masive në Serbi, autoritetet e Beogradit kanë kthyer në Kosovë mbetjet mortore të 707 shqiptarëve në 18 kontigjente të veçanta, si dhe 90 qeske me mbetje mortore. Në një konferencë ndërkombëtare për persona të pagjetur, mbajtur para më se një muaji në Prishtinë, u kërkua që për zbardhjen e fatit të të zhdukurve të luftës në Kosovë, Këshilli i Sigurimit i OKB ta detyrojë Beogradin që t'i tregojë varrezat masive ende të pazbuluara/s.s./
KOMENTE