English

Berisha: Rama le të puthet me Ramizin 3 herë në ditë, veç rrugët mos t’i bllokojë

Tiranë, 12 maj, NOA – “I kërkoj zotit Edi Rama, duke e respektuar protestën që ai ka nisur, të mos tentojë të mundojë qytetarët duke u dalë para rrugëve. Le të puthet tre herë në ditë me Ramiz Alinë, por qytetarët të mos i lëndojë, se ky është rregull”.

Me këto fjalë i është drejtuar kryeministri Berisha rivalit të tij politik, Edi Rama, nga Kamza ku mbajti një fjalim për investimet dhe inaugurimet e kryera nga qeveria e tij në këtë bashki.

Duke iu referuar bllokimit të rrugëve nga protestuesit socialistë, një dukuri kjo e përsëritur dy ditët e fundit prej tyre në shumë akse të rëndësishme të vendit, kreu i qeverisë tha se një gjë e tillë është e palejueshme.

“Rrugët janë të publikut, ato janë të qytetarëve dhe askush nuk mund t’i zaptojë”, tha ai lidhur me një fakt të tillë.

Ndërkaq, duke i quajtur bllokmenë ata që drejtojnë grevën e opozitës, Berisha tha se ata takohen me Ramiz Alinë, në një kohë që demokratët janë për çuarjen e vendit drejt Evropës.

“Keni bërë ç’keni bërë me njëri-tjetrin, keni vrarë njëri-tjetrin, ne demokratët jemi për vajtjen drejt Evropës”, iu është drejtuar ai socialistëve, duke i barazuar me komunistët e djeshëm gjatë fjalës së tij.

Në fund, ai e mbylli çështjen e protestave të opozitës duke deklaruar qartë se “do të respektojë çdo të drejtë kushtetuese të qytetarëve shqiptarë dhe se qytetarët e këtij vendi do të kenë të garantuar lirinë dhe të drejtën e protestës paqësore”.

n.e/NOA

KOMENTE