English

Gati Draft-Strategjia Për Kulturën

- Kryetari i grupit për hartimin e kësaj draft-strategjie, Mark Marku, shprehet në një prononcim për mediat- TIRANË, 12 Maj/ ATSH-Suada Daci/- Pas 2 vjetësh pune, tashmë është gati draft- strategjia për kulturën. Draft- strategjia pritet të miratohet në Parlament së shpejti, ndërsa në 26 maj ky dokument do t'u shpërndahet të gjithë artistëve. Kryetari i grupit për hartimin e kësaj strategjie, Mark Marku, tha sot në një prononcim për mediat pas Forumit të debatit "Politikat Kulturore dhe Strategjia e Kulturës", organizuar nga shoqata "Miqtë e Muzikës", se "strategjia e kulturës është dokumenti bazë mbi të cilat ndërtohen të gjitha politikat kulturore dhe institucionale në Republikën e Shqipërisë, mbi bazën e të cilave ndërtohet dhe legjislacioni dhe të gjitha reformat në sistemin e kulturës". Sipas tij, "strategjia është një dokument i shkurtër, konciz ku janë hedhur idetë dhe hidhen bazat e zhvillimit në fushat kryesore të zhvillimit të artit, si në muzikë, artin e shkruar, kinematografinë, artet vizive, etj". "E rëndësishme është se në bazë të kësaj strategjie mendohet një reformim tërësor i sistemit të kulturës institucioneve, legjislacionit, reformim i cili ka filluar edhe më parë dhe strategjia është e ndërtuar mbi këtë bazë", tha Marku, duke shtuar se "kjo strategji përbën një koncept të ri për kulturën, për statusin e artistit si dhe për industritë kulturore". Kryetari i grupit hartues të strategjisë kulturore, Mark Marku, tha se "e rëndësishme në hartimin e kësaj strategjia është procedura. Ne kemi bërë kujdes që të konsultohemi me ekspertët të fushës dhe ta shtrijmë fushën e ekspertizës me të gjitha grupet e interesit. Ne jemi konsultuar edhe me specialistë europianë të hartimit të strategjive, me qëllim përqasjen e saj me standardet europiane". Ndërsa artisti Vaso Tole, tha se "strategjia është një dokument shumë i rëndesishëm, shumë i mirëpritur jo vetëm për institucionet artistike dhe kulturore, po në mënyrë të veçantë dhe për artistët, krijuesit dhe ata në pergjithesi që merren me menaxhimin e artit". "Përmes këtyre dokumenteve hidhen hapa përpara edhe për një pozicion akoma më të mirë të rolit dhe të statusit të artistit në shoqërinë shqiptare", thotë muzikanti Vaso Tole./s.s./
KOMENTE