English

Koncert rok në Durrës me grupe të njohur nga vendi dhe bota

Sezoni i Madh i Aktiviteteve i Ambasadës Italiane. Organizohet të shtunën në Durrës koncert live me grupe të muzikës rock nga Italia dhe Shqipëria

Tiranë, 13 Maj NOA/ Milena Selimi - Në kuadër të Sezonit të Madh të Aktiviteteve, Ambasada Italiane do të organizojë në Durrës një koncert rock me grupe nga Shqipëria dhe Italia. Koncerti do të organizohet ditën e shtunë në sheshin më të madh të qytetit të Durrës, Taulantia.

Koncerti i muzikës rock, si pjesë e Sezonit të Madh të Aktiviteteve të Ambasadës Italiane, është menduar si një komunikim kulturor midis dy popujve, për të përcjellë nëpërmjet muzikës rock lidhjet e forta që janë krijuar midis të rinjve nga të dyja anët e Adriatikut. Të rinjtë e të dy vendeve nuk ndajnë midis tyre vetëm të njëjtin det por edhe të njëjtat preferenca përsa i përket muzikës.

Koncerti i Durrësit është një vazhdimësi e Festivalit ARÈ që organizohet çdo vit në Italinë e Jugut. Ambasada Italiane ka menduar që një pjesë e këtij festivali rinor të muzikës rock ta lëvizë drejt qytetit të Durrësit dhe të përfshij edhe disa prej grupeve më të mira shqiptare.

Publiku i këtij koncerti live do të ndjekë shfaqjen e ofruar nga grupet shqiptare dhe italiane për më shumë se 4 orë. Ndër grupet shqiptare të pranishme në këtë koncert do të jenë Burn dhe Kthjellu.

Nga Italia do të këndojnë në Durrës disa prej grupeve të reja më të mira të muzikës rock në Itali si Erica Mou, La Fame di Camilla, One Way Ticket, Leitmotiv, etj.

Për të rinjtë nga Tirana që duan të ndjekin koncertin në Durrës janë vënë në dispozicion autobuzë që do të nisen nga Sheshi Nënë Tereza në orën 18:30. Me po të njëjtët autobuzë do të bëhet edhe kthimi në Tiranë pas përfundimit të koncertit.

Rreth ARÈ Rock Festival

ARÈ Rock Festival është një festival që zhvillohet çdo vit në Italinë e Jugut. Ky Festival në fakt është një konkurs kombëtar që organizohet nga shoqata kulturore “Europa Giovane” me qendër në Barleta.

Pjesëmarrja në këtë aktivitet është e hapur për grupet dhe muzikantet e rinj të të gjitha rrymave (rock, indie, alternativ, post, dark, new-wave, punk, electro, pop, reggae, etj.).

ARÈ Rock Festival tashmë është kthyer në një traditë dhe në një nga vitrinat më të rëndësishme muzikore të Italisë së Jugut, ka me qindra regjistrime nga e gjithë Italia dhe jo vetëm.

Këtë vit ARÈ Rock Festival është në edicionin e katërt.

Fituesit e tre edicioneve të para janë:

2007 Giovanni Block

2008 La Fame di Camilla

2009 Erica Mou

Publiku shqiptar do të ketë kënaqësinë të ndjekë live në Edicionin Shqiptar të ARÈ Rock Festival, i cili zhvillohet në kuadrin e Pranverës Italiane “DY POPUJ, NJË DET, NJË MIQËSI”, fituesit e dy edicioneve të fundit La Fame di Camilla dhe Erica Mou, si dhe dy grupe të tjera: Camillore dhe Leitmotiv.

r.n/NOA

KOMENTE