English

Kosovë - Qeveria Dënon Sulmin Ndaj Qytetarëve Të Kthyer Në Zallq Të Istogut

PRISHTINË, 13 Maj /ATSH-B.Jashari/.- Qeveria e Kosovës dënoi sot sulmin e ndodhur mbrëmë në fshatin Zallq të Istogut ndaj disa qytetarëve të kthyer në pronat e tyre. "E ritheksojmë edhe njëherë se Republika e Kosovës është shtet demokratik, që përbëhet nga komunitete të ndryshme etnike. Toleranca dhe bashkëpunimi i gjithanshëm mes këtyre komuniteteve, është ndër vlerat më të larta të shtetit tonë të ri", thuhet në komunikatën e qeverisë, të dhënë pak më parë. Në kuadër të prioriteteve të saj kryesore, qeveria e Kosovës ka dëshmuar dhe po dëshmon në vazhdimësi përkushtimin e saj për respektimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve. Në këtë drejtim, ajo ka ndërmarrë hapa konkretë për të mbështetur kthimin e personave të shpërngulur në pronat dhe shtëpitë e tyre në Kosovë. "Sulmi ndaj qytetarëve të kthyer, që ndodhi mbrëmë në Zallq, është një akt i patolerueshëm dhe i dënueshëm nga të gjithë qytetarët e Kosovës", theksohet në komunikatën e qeverisë. Ndërkohë, qeveria e Kosovës i bën thirrje organeve kompetente që të ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura që aktorët e këtij sulmi të nxirren para organeve të drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar./s.s./
KOMENTE