English

Menaxhimi I Mbetjeve, Ende Problematik Dhe Që Nuk I Përgjigjet Standardeve Të Kohës

TIRANË, 13 Maj/ATSH-Eriola Çuko/ - "Çështja e menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri mbetet ende problematike dhe që nuk i përgjigjet standardeve të kohës, duke krijuar kështu kosto mjedisore, por edhe ekonomike", tha sot ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të ujrave, Fatmir Mediu, gjatë Tryezës për diskutimin e Strategjisë Kombëtare për Menaxhimin e Mbetjeve, e mbajtur në Hotel Sheraton. Sipas tij, "deri sot praktikat ekzistuese të menaxhimit të mbetjeve i konsiderojnë ato si objekt që duhet hedhur, duke aplikuar tarifa minimale për pastrimin e tyre". "Tarifat e pastrimit të mbetjeve janë shumë të ulëta dhe në qytete e mëdha janë afërsisht rreth 10 $ në vit, që në raport me vendet europiane dhe ato fqinje, është e vogël dhe nuk krijon asnjë premisë për mirëmenaxhimin e mbetjeve", tha ai. "Kemi nivel të ulët të menaxhimit të mbetjeve", konstatoi Mediu, duke theksuar se "mbetjet urbane dhe ato të rrezikshme depozitohen në vende të hapura dhe të pakontrolluara duke shkaktuar ndotje të tokës, ujërave sipërfaqësore dhe ajrit". Ai u ndal në mënyrë të veçantë tek mbetjet spitalore, trajtimi pa kriter i të cilave, sipas tij, është një nga problemet jo të vogla që sot ka Shqipëria. Sipas tij, "ka rreth 65 venddepozita bashkiake, por qe janë jashtë standardeve. Pothuajse nuk ekzistojnë venddepozitime në zonat rurale. Ekzistojnë gjithashtu 309 venddepozitime të mbetjeve të vogla dhe jashtë ligjshmërisë që duam dhe duhet të zbatojmë". Duke u ndalur në nivelin e riciklimit të mbetjeve, Mediu theksoi se "edhe pse ka patur rritje, është ende në nivele të ulëta". Sipas tij, për përmirësimin e situatës "është e rëndësishme të dalim me një strategji të përbashkët, që do të koordinojë marrëdhëniet, duke filluar nga qytetari i thjeshtë, pushteti lokal, pastaj në nivel qarku e zonash, për të shkuar më tej në nivel qendror". Trajtimi i mbetjeve për Qeverinë shqiptare, sipas tij, tashmë është kthyer në prioritet. Kryeministri ka ngritur një Task-force që drejtohet prej tij, që ka përcaktuar dhe një plan veprimi. "Hapi i parë do të jetë faza e ndërhyrjes emergjente, sidomos në zonat turistike, në deltat e lumenjve, për të pastruar mbetjet e shkaktuara gjatë vitit, për të pasur plazh sa më të pastër dhe të pranueshëm për standardet që duhet të ketë turizmi ynë, në pikëpamje të ardhshmërisë europiane", nënvizoi ministri i Mjedisit. Po ashtu, sipas tij, vëmendje do t'i kushtohet pastrimit të akseve kombëtare nga mbetjet, në mënyrë të veçantë nga varrezat e makinave jashtë perdorimit, zhvendosja e tyre nga akset kryesore dhe pastrimi i askseve nga të gjithë llojet e mbetjeve. Kryetari i Komisionit Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, Jemin Gjana, u ndal në plotësimin e kuadrit ligjor për menaxhimin e mbetjeve. "Është shumë e rëndësishme të punojmë të gjithe së bashku dhe të kontribuojmë për të përmirësuar situatën ligjore", tha Gjana. Ai cilësoi si mjaft të rëndësishëm Startegjinë Kombëtare të Mbetjeve, Planin e Veprimit për këtë qëllim, por dhe po kaq të rëndësishme aktet e tjera nënligjore në këtë drejtim. Qëllimi i takimit të sotëm ishte prezantimi i këtyre dokumentave, me pjesëmarrje të gjerë, për të kontribuar kështu për përmirësimin e politikave për menaxhimin e mbetjeve në Shqipëri, tha Edlir Vokopola, moderator i takimit. Strategjia Kombëtare për Menaxhimin e Mbetjeve dhe Plani Kombëtar për Menaxhimin e Mbetjeve në Shqipëri janë dokumenta të përgatitur nga projekti INPAEL, i financuar nga Komisioni Europian, në kuadër të projektit CARDS 2006. /a.ke/
KOMENTE