English

Obama: Ekonomia Amerikane Po Ecën Pa Dyshim Në Drejtimin E Duhur

BUFFALO (SHBA), 13 maj /ATSH-AFP/ - Presidenti Barack Obama u shpreh sot se ekonomia e Shteteve të Bashkuara pa asnjë dyshim po ecën në drejtimin e duhur, pas publikimit të treguesve të rinj të favorshëm, gjatë një fjalimi në Bufalo, në shtetin e Nju Jorkut, në verilindje. Obama pranoi se tregu i punës i ndjen ende pasojat e recesionit ekonomik. "Por mund të them pa asnjë dyshim: sot, po ecim në drejtimin e duhur", shtoi presidenti. "Ekonomia jonë po rritet përsëri. Muajin e ardhshëm, ajo do të jetë më e fortë se muajin e kaluar. Viti i ardhshëm do të jetë më i mirë se viti i kaluar. Muajin e kaluar krijuam 290 000 vende pune, rritja më e madhe brenda katër vjetëve", kujtoi Obama. Më parë gjatë ditës, Ministria e Punës në Uashington ka bërë të ditur se numri i të papunëve të tjerë në Shtetet e Bashkuara ka rënë për të katërtën javë radhazi, gjë që nuk kishte ndodhur që prej hyrjes së vendit në recesion në dhjetor të vitit 2007. Sipas ministrisë, 440 000 kërkesa të tjera për ndihma sociale për papunësi janë paraqitur nga data 2 deri më 8 maj, ose 0,9 për qind më pak se javën e kaluar (në të dhëna të korrigjuara të luhatjeve të stinës). /I.Pu.
KOMENTE