English

Opozita Vijon Protestën Përpara Kryeministrisë

TIRANË, 13 Maj /ATSH-/ - Partia Socialiste dhe aleatët e saj zhvilluan sot pasdite protestën e radhës në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", para selisë së kryeministrisë, ku që nga 30 prilli zhvillohet greva e urisë e një grupi deputetësh dhe simpatizantëve të PS-së me kërkesën për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit të vitit të kaluar. Në fjalën e tij kryetari i PS-së, Edi Rama, është ndalur tek Policia e Shtetit e cila gjatë ditës së djeshme ka ndërhyrë për të zhbllokuar disa nga akset rrugore të vendit, të bllokuara nga protestues të PS-së. "Fjalën e parë e kam për disa krerë të policisë, të cilët keqpërdorën uniformën e shtetit. Në gjithë Shqipërinë u ndërmorën protesta paralele me grevën e urisë në akset kombëtare, jo për të bllokuar qarkullimin, por për të liruar Shqipërinë e bllokuar, demokracinë e bllokuar, lirinë e bllokuar", tha Rama. Manifestimet e djeshme, tha Rama, "ishin manifestime të thjeshta sensibilizuese, megjithatë sot nuk pati asnjë deklaratë formale, apo informale nga Ministri i Brendshëm për sjelljen e policisë ndaj deputetit të PS-së, Pandeli Majko". Rama ripërsëriti se opozita nuk do të ndalet nga protesta deri sa të fitojë të drejtën elementare të transparencës. Protestën e sotme e përshëndetën edhe aleatët dhe deputetë të PS-së, të cilët ripërsëritën kërkesën e tyre për hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit./gj.m/s.s./
KOMENTE