English

Analistë Të Njohur Diskutojnë Te "Ora E Debatit" Mbi Opsionet E Zgjidhjes Së Situatës Politike Në Vend

TIRANË, 14 Maj/ATSH-Maela Marini/.- Analistë të njohur në vend disktuan sot në mbrëmje, në emisionin "Ora e Debatit" të drejtuar nga Drejtori i Televizonit Ora News, Alfred Peza, mbi opsionet për zgjidhjen e situatës politike në vend. Duke folur në emisionin "Ora e Debatit" për grevën dhe protestën e opozitës, Drejtori i ATSH-së, analisti Artur Zheji u shpreh se "kriza zgjidhet kur interesat e palëve të kënaqen". Çdo konflikt, sipas tij, "ka një bazë llogjike të luftës së interesave dhe një shtysë e cila në këtë betejë politike është pushteti politik". Ai tha se "të dyja palët (PD-PS) në konfliktin politik të krijuar në vend kanë dalë të fituara, pasi kemi një maxhorancë të konsoliduar dhe një lider të PS-së që zbehu disidencën dhe krijoi grupin e tij besnik brenda PS-së". "Maxhoranca nga ky konflikt nuk pati asnjë çarje. Kjo suferinë dhe luftë politike bëri që maxhoranca të mbesë solide dhe të mos ketë asnjë humbje. Rama kishte disa dilema dhe donte të bënte një supershou politik për të motivuar katërcipërisht se ai nuk ka humbur zgjedhjet dhe nuk ka pse dorëzohet", tha z. Zheji. Duke qenë se kjo zgjedhje e Ramës shkaktoi një lloj disidence, sipas z. Zheji duhej një përshkallëzim tjetër që të zbehte këtë disidencë. Në këtë rast Rama ia doli të krijonte një grupim të ri brenda PS-së, tha Zheji ,duke shtuar se "është fakt se tanimë kemi një grup të rinjsh, besnik të Ramës, që ka marrë timonin e PS-së dhe po demostron disiplinën e vetë". "Kemi një konsolidim të pushtetit në PS dhe një lider të maxhorancës që qëndron në një lloj dinjiteti politik. Mendoj që zgjidhja e situatës do vijë si formë e ndonjë apeli intelektual. Në Shqipëri ka ndodhur shumë shpesh që është projektuar si krizë politike e përgjithshme, kriza e individëve politikë", tha Zheji. Suksesi i parë i z. Rama, sipas Zhejit është se "tani askush nuk diskuton për lidershipin e tij në PS. Ndërkohë protestën dhe grevën e opozitës, z. Zheji nuk e sheh si lëvizje kundër Berishës, por si asgjësim të Lëvizjes për Mendim Ndryshe dhe disidencës brenda PS-së. "Mendoj që ky tension i artikuluar do bëjë që të shkohet në zgjedhje lokale pa hyrë në diskutime për ndryshimet e Kodit Zgjedhor", tha z. Zheji. Opsion fantazëm, e konsideroi z. Zheji deklaratën e sotme të ambasadorit të OSBE-së, Robert Bosch për një marrëveshje të mundshme mes palëve. Sipas tij "kjo është bërë për të ulur gjakrat dhe për të dhënë një mesazh paqeje dhe për të lënë një spirale shprese në prag të zhvillimit të protestës së opozitës. Ndërsa drejtuesi i emisionit "Opinion" në Tv Klan, analisti Blendi Fevziu u shpreh se "deri më sot nuk di të ketë negociata të tjera apo një marrëveshje për zgjidhje mes palëve". "Kam dëgjuar deklaratën e ambasadorit Bosch, por nuk kam parë asnjë fletë apo draft", tha z. Fevziu. Analisti Eduard Zaloshnja shprehu bindjen se greva do të mbyllet me një marrëveshje që do kënaqë palët, e cila mund të jetë edhe arritja e një marrëveshje për hapjen e kutive të materialeve zgjedhore. "Them se greva e urisë do mbarojë shumë shpejt dhe zgjidhja do jetë e tillë që Edi Rama dhe njerëzit rreth tij të thonë se ne arritëm diçka", tha ai. Ndërsa analisti Andi Bushati u shpreh se "kjo është një betejë politike dhe jo ligjore". "Kjo është një kokëfortësi politike e të dyja palëve dhe kompromisi nuk fshihet dot pas nje arsye ligjore", tha ai. /a.gj/
KOMENTE