English

Berisha- Gruevskit: Zbatimi I Marreveshjes Se Ohrid Eshte Thelbesore Per Paqen, Stabilitetin, Mirekuptimin E Bashkepunimin Nderetnik

- Kryeministri Berisha takohet ne Zagreb me kryeministrin maqedonas, Gruevski - TIRANE, 14 Maj/ATSH/. - Kryeministri Berisha ka vleresuar rendesine e jashtezakonshme te Marreveshjes se Ohrid, duke theksuar se zbatimi i plote i saj dhe zgjidhja e çeshtjeve te tjera te mbetura ne kete kuader, eshte thelbesore per paqen, stabilitetin, mirekuptimin e bashkepunimin nderetnik ne vendin fqinj. Sipas Zyres se Shtypit te Kryeministrise, gjatë qëndrimit të tij ne Zagreb, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me kryeministrin maqedonas, z. Nikola Gruevski. Të dy palët rikonfirmuan vendosmërinë e të dy qeverive për konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira politike midis të dy vendeve dhe zgjerimin e thellimin e miqësisë dhe bashkëpunimit në të gjitha fushat, në dobi të të mirës së të dy vendeve e popujve. Në këtë kontekst, Kryeministri Gruevski i bëri me dije Kryeministrit Berisha se pala maqedonase është duke punuar që së shpejti të fillohet me pjesën maqedonase të projektit të autostradës që do të lidhë të dy vendet, pjesë e Korridorit 8, dhe se së shpejti, do të nise hartimi i projektit për pjesën maqedonase të linjës hekurudhore që do të lidhë të dy vendet. Kryeministri Berisha e përshëndeti këtë hap të qeverisë maqedonase duke e vlerësuar Korridorin 8 si një infrastrukturë të një rëndësie strategjike për të dy vendet dhe rajonin. Kryeministri Berisha e njohu homologun maqedonas me planet e qeverisë shqiptare për të filluar së shpejti me rrugën Tiranë-Elbasan, si element thelbësor i Korridorit 8 në Shqipëri dhe përfundimin e rrugës së Arbrit, e cila e shkurton me rreth 100 kilometër distancën Shkup-Tiranë. Kryeministri Berisha shprehu edhe gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të përfunduar pjesën e hekurudhës deri në kufirin me Maqedoninë, duke krijuar kështu edhe mundësinë e këtij transporti shumë të rëndësishëm ndërmjet të dy vendeve dhe më gjerë. Duke vlerësuar rëndësinë e jashtëzakonshme të Marrëveshjes së Ohrid, Kryeministri Berisha theksoi se zbatimi i plotë i saj dhe zgjidhja e çështjeve të tjera të mbetura në këtë kuadër është thelbësore për paqen, stabilitetin dhe mirëkuptimin e bashkëpunimin ndëretnik në vendin fqinj. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha rikonfirmoi qëndrimin se paqja, stabiliteti dhe integriteti territorial i Maqedonisë përbën interes madhor për Shqipërinë dhe shqiptarët, ndaj edhe çdo akt që bie në kundërshtim dhe i cenon ato, është i papranueshëm. Më tej, gjatë bisedës u vlerësuan përpjekjet për gjetjen e një zgjidhje për çështjen e emrit mes të dy vendeve fqinje e mike. Të dy kryeministrat u angazhuan për rifreskimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të lidhura me rregullimin e regjimit të ujërave mes të dy vendeve. Në lidhje me krizën financiare ndërkombëtare, dy kryeministrat vlerësuan faktin që edhe pse kjo ka ndikuar edhe ne vendet e rajonit, viti 2010 pritet të jetë vit i kthesës për sa i përket kapërcimit të saj dhe rikthimit në nivele të rritjeje ekonomike të kënaqshme. Në takim u vlerësua fakti që, edhe pse kriza globale preku mbarë planetin, ekonomia shqiptare vijoi të shënojë rritje pozitive mbi 3.5 për qind në vitin 2009 dhe në muajt e parë të vitit 2010 po dëshmon rezultate të larta, si dyfishimi i eksporteve "Made in Albania" etj. Në fund të takimit, të dy krerët e qeverisë ripohuan vendosmërinë për intensifikimin e kontakteve dhe për shkëmbimin, së shpejti të vizitave në nivelet më të larta politike. /a.ke/
KOMENTE