English

Ekonomi - Analistë: Disa Deklarata Të Këshilltarit Të Obamës Kanë Kontribuar Në Rënien E Euros

LONDËR, 14 maj /ATSH-AFP/ - Disa deklarata negative ndaj euros të Paul Volcker, këshilltari ekonomik i presidentit Barack Obama, i cili shkoi deri aty sa përmendi "shpërbërjen", kontribuan në rënien e euros përballë dollarit sot, theksuan disa analistë. Volcker, një ish-president i Rezervës federale amerikane, mori pjesë në dy konferenca dje në Londër, gjatë të cilave ai iu kundërvu monedhës unike. "Sigurisht, mendoj se mund të themi se euroja ka dështuar dhe ka rënë në një kurth që ishte i qartë që në fillim për shkak të mungesës së politikës buxhetore të përbashkët, shpjegoi ai. "Në fund, Evropa duhet të vendosë nëse kërkon të jetë pak a shumë e integruar dhe kjo e vë në dyshim euron", vazhdoi zyrtari. Po dje ai përmendi drejtpërsëdrejti "problemin e madh" të shpërbërjes së mundshme të euros", fjalë që ndikuan mjaft tek monedha unike, e cila ra sot nën kuotën 1,24 dollarë, më e ulëta që prej tetorit të vitit 2008. "Një zyrtar amerikan mund të diskutojë hapur për një hipotezë të tillë dhe kjo sigurisht, nuk do t'u pëlqejë atyre të zonës euro", thekson Derek Halpenny, analist tek Bank of Tokyo-Mitsubishi, i cili e përfshiu këtë deklaratë në kapitullin "e lajmeve të këqija" të ditës për monedhën unike. Paul Robinson i Barclays Capital theksoi gjithashtu se përveç "problemeve strukturore" që bien mbi monedhën unike, "persona të rëndësishëm kanë bërë komente të frikshme" që nuk kanë qenë të favorshme për të", duke cituar Volcker. /I.Pu.
KOMENTE