English

Greqia Do Të Zvogëlojë Shpenzimet Ushtarake Dhe Blerjet E Armëve

PARIS, 14 maj /ATSH-AFP/ - Greqia, e detyruar të zbatojë një plan ekonomik të një rreptësie të paprecedentë, do të zvogëlojë shpenzimet e saj ushtarake, njoftoi sot zëvendësministri i Mbrojtjes, Panos Beglitis, duke përgënjeshtruar gjithashtu që Berlini dhe Parisi t'i kenë bërë presion për respektimin e kontratave të armatimit. "Përballë deficitit të madh publik, jemi të detyruar të zvogëlojmë shpenzimet ushtarake dhe do të vazhdojmë në këtë rrugë, edhe nëse ato nuk përfshihen në planin e rreptë ekonomik të nënshkruar me Fondin Monetar Ndërkombëtar", deklaroi ministri grek në një intervistë për të përditshmen franceze "Le Monde". "Është ende shumë herët për të thënë se në çfarë raporti dhe nëse ato do të bëhen në masën 2,5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, madje 2,3 për qind", deklaroi ai. Ai shtoi se buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes është zvogëluar këtë vit në 6 nga 6,8 miliardë euro, ose 2,8 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. "Në të njëjtën kohë, njofton ai, kemi vendosur të zvogëlojmë blerjet e tjera të armëve, të racionalizojmë nevojat tona ushtarake: blerjet e armëve do të jenë nga 0,6 deri 1 për qind të PBB-së, ndërkohë që kishim arritur në 3,5 për qind gjatë disa viteve, vazhdoi ai. Pyetjes lidhur me deklaratat e fundit të deputetit evropian të të Gjelbërve Daniel Cohn-Bendit, sipas të cilit mbështetja e Parisit dhe e Berlinit për planin e ndihmës evropiane për Greqinë është kushtëzuar me respektimin e marrëveshjeve për blerje armësh të nënshkruara nga qeveria e mëparshme greke, Beglitis iu përgjigj se "kjo nuk është e vërtetë". "Franca dhe Gjermania nuk kanë bërë presion, deklaroi ai. Sidoqoftë, evropianët ishin të detyruar të hartonin një plan ndihme, me ose pa shitje armësh". "Me autoritetet franceze, qeveria e mëparshme ka nënshkruar një marrëveshje për bisedime për blerjen e fregatës Fremm. Ne i vazhdojmë këto bisedime", shtoi ai. "Por, vazhdimi i bisedimeve nuk do të thotë se ato do të përfundojnë. Dhe ky vendim nuk do të merret në vitin 2010", vazhdoi zëvendësministri. Zvogëlimi i shpenzimeve ushtarake është njoftuar gjatë vizitës së kryeministrit Recep Tayyip Erdogan në Athinë në hapje të një epoke të re që i jep fund marrëdhënieve të acaruara të dekadave të fundit. Beglitis tregohet i kujdesshëm lidhur me këtë çështje: "si mund të vendosim të zvogëlojmë shpenzimet ushtarake nën një nivel që do të ishte me rrezik për sigurinë tonë kombëtare? Gjithçka do të varet nga turqit". /I.Pu.
KOMENTE