English

Rindërtohet Shkolla 9-Vjeçare E Gërdecit

VORË (Gërdec), 14 Maj/ATSH-Ita Semi/. - Fshati Gërdec, pak kilometra larg Vorës, po e rimerr plotësisht veten dy vjet pas tragjedisë. Krahas shtëpive të ringritura, rrugëve të sistemuara, tashmë fshatit i është rikthyer së fundmi dhe shkolla e re. Rreth dy vjet më parë, pas tragjedisë së Gërdecit, shkolla e këtij fshati u shkatërrua plotësisht. Sot me ndihmën e donatorëve shqiptarë e të huaj, fëmijët e Gërdecit do të zhvillojnë mësimin rregullisht në mjediset e rikonstruktuara të shkollës 9 vjeçare. Për rindërtimin e shkollës u nevojit një investim prej më shumë se 30 milionë lekësh. Investimi është mundësuar prej OSBE-së, Drejtorisë arsimore Tiranë, Bashkisë së Vorës, Kompanisë Vodafon Albania, etj. Falë këtij investimi, shkolla 9 vjeçare Gërdec është pajisur me laboratorë shkencorë, sallë interneti, kënd argëtimi, mjedise të veçanta për fëmjët parashkollorë, bibliotekë, etj. Në ceremoninë e përurimit të mjediseve të reja të shkollës, ishte i pranishëm Ambasadori i OSBE në Tiranë, Robert Bosch, i cili në fjalën e tij tha se "tashmë fëmijët e Gërdecit nuk janë të detyruar të bëjnë kilometra të shumta për të shkuar në shkollë. Kjo shkollë e re i sjell fshatit tuaj imazhin e mëparshëm". Kryetari i bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili, u shpreh se falë ndihmës së donatorëve kjo shkollë është rindërtuar me standarde europiane. Pas shpërthimit në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec më 15 mars 2008 u shkatërrua plotësisht dhe shkolla 9 vjeçare këtij fshati. Për këtë arsye shumë prej fëmijëve u detyruan të ndiqnin mësimet në një shkollë tjetër disa kilometra larg./s.s./
KOMENTE