English

Vlorë: Panairi I Punës, Subjektet Ofrojnë 400 Vende Të Reja

VLORË, 14 maj /ATSH-H.Koçi/ - Biznesi vlonjat ka organizuar të parin panair të veçantë, atë të punës, ku në 40 pavione subjekte prodhuese, shërbimi dhe tregtare, punonjës të specializuar sqarojnë të interesuarit për t'u punësuar në përputhje me profilin dhe nivelin e kualifikimit. Në këtë panair u vendosën përballë njeri-tjetrit punëdhënësit dhe punëkërkuesit, gjë që, sipas organizatorëve, përbën risi për tregun e punës në qytetin e Vlorës, por edhe më gjerë, pasi në tregun e punës në Vlorë ofrohen 400 vende të reja pune në sektorë dhe profile të ndryshme. Me këtë rast, në mjediset e panairit u zhvillua një ceremoni zyrtare, ku ishte dhe zëvendësministrja e Punës, Përkrahjes Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Filloreta Kodra, përfaqësues të qeverisjes vendore, etj. Kodra theksoi se, "Panairi i Punës përbën një aktivitet me mjaft vlera dhe është një mundësi për punëkërkuesit për të gjetur një vend pune". Sipas saj, në programin e qeverisë parashikohet që në katër vitet e mandatit qeverisës të krijohen 160 mijë vende të reja pune dhe ky panair është në funksion të kësaj strategjie. Drejtori i Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Thoma Miço thotë se, "tregu i punës ka nevojë për aktivitete të kësaj natyre, ku vendosen përballë njeri-tjetrit punëdhënësit dhe punëkërkuesit". Ai shtoi se në Vlorë, që është një metropol pune, të tilla panaire janë mjaft të efektshëm. Panairi i Punës, organizuar nga Drejtoria Rajonale e Punësimit e Vlorës do të qëndrojë i hapur gjatë gjithë ditës së sotme. Ai është mbështetur dhe nga subjekte të tjera shtetërore dhe private, si Qendra Formimit Profesional, Agjensia e Zhvillimit Ekonomik Lokal AULEDA, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë etj. Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Punësimit, Zhylien Papajorgji tha për ATSH-në se, ky aktivitet synon të vendosë standarde të reja në tregun e punës në Vlorë dhe do të pasohet edhe nga të tjerë./ch/
KOMENTE