English

Berisha: Berzh Do Të Rrisë Investimet Për Sektorin Privat Në Shqipëri

- Kreu i Qeverisë informon mediat pas vizitës së tij dyditore në Kroaci ku mori pjesë në takimin e 19-të vjetor të BERZH-it - TIRANË, 15 Maj/ATSH-Maela Marini/.- Kryeministri Sali Berisha bëri të ditur sot se "Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) do të rrisë portofolin e financimeve për sektorin privat shqiptarë, ku interes të madh ka treguar në fushën e energjisë, pasi janë 200 kontrata për HEC-e të firmosura nga qeveria dhe në 36 prej tyre ka filluar ndërtimi, ndërsa të tjerat presin financime". Gjatë një konference për shtyp, Kreu i Qeverisë informoi për vizitën e tij dyditore në Kroaci ku mori pjesë në takimin e 19-të vjetor të BERZH-it, ku bëri të ditur se ky institucion i rëndësishëm "përcaktoi si përparësi mbështetjen më të fuqishme të ekonomive të rajonit të Ballkanit". "Në drekën e punës ku ne paraqitëm zhvillimet ekonomike në vendet tona, unë theksova se Shqipëria i ndjeu pasojat e tsunamit financiar dhe ekonomik botëror në temujorin e fundit 2008, kur pati një tërheqje depozitash", tha Berisha. Në këtë ekspoze, Kryeministri tha "gjatë vitit 2009, pati rënie të eksporteve dhe rritjes ekonomike, e cila gjithësesi mbeti qartësisht pozitive me 3.5 për qind, me një inflacion të kontrolluar dhe deficit buxhetor në parametra të pranueshëm". Por më tej, ai shtoi se "një kuadër tjetër, thellësisht i ndryshëm me atë të vitit të kaluar, paraqitet këtë vit, ku ka një rritje prej 140 për qind të eksporteve 'Made in Albania'dhe një rritje prej 27 për qind të mallrave me materiale importi". Duke u ndalur te gjendja e sistemit bankar në vend, Kryeministri Berisha theksoi se "Shqipëria ka sistemin bankar ndër më likuidët në botë". "Në Shqipëri nuk është kredituar më shumë se 60 përqind e depozitave dhe kjo përbën një gjendje shumë të shëndetshme të sistemit bankar", tha Kryeministri Berisha. Kryeministri ritheksoi vendosmërinë e qeverisë për të rritur rrogat dhe pensionet, duke u shprehur se kjo do të ndodhë "edhe edhe pse në këtë periudhë shumë vende njoftojnë uljen e tyre"./n.m/
KOMENTE