English

Ps: Kryeministri T'I Japë Zgjidhje Krizës

TIRANË, 15 Maj/ATSH/.- Deputetja e PS-së, Arta Dade, tha sot për mediat se Kryeministri Sali Berisha duhet t'i japë zgjidhje krizës politike në vend. "Kryeministri duhet ose ta zgjidhë krizën ose pastaj konfliktin nuk e ka më me PS-në, as me grupin e saj parlamentar, por me popullin opozitar e më gjerë", u shpreh deputetja Dade. Ajo reagoi dhe ndaj deklaratave të fundit të përfaqësuesve të maxhorancës në adresë të grevistëve, të cilët, sipas saj, "kanë artikuluar një gjuhë jopolitike ndaj opozitës". Ndërsa deputeti tjetër socialist, Arben Ahmetaj, pjesëmarrës në grevën e urisë, duke vënë në dukje gjendjen tepër të rënduar shëndetësore të grevistëve theksoi vendosmërinë e opozitës për ta çuar deri në fund aksionin politik të socialistëve. "Do të qëndrojmë këtu deri në plotësimin e kërkesave tona, që janë kërkesa për themelin e demokracisë", u shpreh Ahmetaj. Prej mëse dy javësh rreth 21 deputetë të PS-së dhe 180 mbështetës të saj janë ngujuar në një grevë urie përballë selisë së qeverisë, ku kërkojnë transparencën e zgjedhjeve, përmes hapjes së kutive të votimit./a.s/s.s./
KOMENTE