English

Qeveria i kthen përgjigje Ramës: Nuk pranojmë kompromisin që po ofron

Tiranë, 15 Maj 2010 NOA - Qeveria shqiptare nuk e pranon kompromisin që ofroi vetëm pak orë më parë kreu socialist Rama për t’u tërhequr nga kërkesa për hapje të kutive me fletët e votimit dhe hetim vetëm të materialeve zgjedhore.

“Ky propozim shkel drejtpërdrejt nenin 178 të Kodit Zgjedhor”, - deklaroi para pak çastesh Oert Bylykbashi, shef i kabinetit pranë Këshillit të Ministrave, në një prononcim që i dha Tv Klan. Bylykbashi theksoi se trajtimi i materialeve zgjedhore mund të bëhet vetëm sipas nenit 178 të Kodit Zgjedhor dhe shtoi se “ky nen nuk lë asnjë hapësirë për trajtim të diferencuar mes materialeve zgjedhore”.

“Me marrjen e kutive të votimit dhe fletëve të votimit të papërdorura dhe pas përfundimit të afatit për ankimet, sipas këtij Kodi, KQZ-ja hap të gjitha kutitë e votimit, nxjerr procesverbalet e votimit, si dhe tabelat dhe procesverbalin e numrit të fletëve të votimit dhe ia dërgon ato Arkivit Qendror të Shtetit në mënyrën e caktuar prej tij. Të gjitha fletët e votimit dhe kundërfletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së”, - deklaroi z.Bylykbashi.

Në këto kushte, - deklaroi z.Bylykbashi, - “zgjidhja e vetme është që kërkesa të shkojë për shqyrtim në Gjykatën e Kushtetuese e cila më vonë, të marrë një opinion në Komisionin e Venecias”, duke shtuar gjithsesi se kjo procedurë do të mund të ndiqej dhe do të ishte e vlefshme vetëm nëse opozita do të ndalte grevën e urisë, për të cilën Rama akuzoi sot Berishën se po abuzon duke hedhur hije dyshimi ndaj saj.

“E vetmja mundësi për zgjidhjen e kësaj situate është ajo që u propozua nga Byroja Parlamentare e Këshillit të Evropës, që Partia Socialiste të ankimojë në Gjykatën Kushtetuese kërkesat e saj për transparencë dhe nëse Gjykata Kushtetuese e çmon, mund t’i kërkojë mendim Komisionit të Venecias”, - deklaroi z.Bylykbashi.

r.n/NOA

KOMENTE