Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Vetëvendosje: Bajram Rexhepi u përkul para terrorit maqedonas
English

Vetëvendosje: Bajram Rexhepi u përkul para terrorit maqedonas

Prishtinë, 16 maj NOA - Lëvizja Vetëvendosje reagoi sot lidhur me situatën e krijuar në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë (FYROM) duke kritikuar edhe ministri i brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi.

Më poshtë gjeni deklaratën e plotë të dhënë nga Vetëvendosje:

“Ka kohë që gjendja politike e shoqërore, si dhe ajo ekonomike e kulturore, e shqiptarëve në ish-Republikën Maqedonase të Jugosllavisë, i është nënshtruar një përkeqësimi të pashembullt. Mekanizmat dhe institucionet shtetërore maqedonase në mënyrë të vazhdueshme dhe të organizuar po e shënjestrojnë vetë qenien shqiptare në këtë shtet, me synim të asimilimit, zhbërjes kombëtare, rrënimit ekonomik dhe shtypjes qytetare. Popullata shqiptare në IRMJ po luftohet me ligj antiqytetar, me politika diskriminuese, me drejtësi selektive, me arsim asimilues, si dhe me polici çnjerëzore. Në këtë situatë, ajo që bien në sy menjëherë si kontrast i vrazhdtë me këtë që po u ndodh shqiptarëve, është qëndrimi i të gjitha partive të mëdha shqiptare kudo që veprojnë ato, të cilat vazhdimisht në deklaratat dhe veprimet e tyre theksojnë angazhimin për integritetin, qëndrueshmërinë dhe fqinjësinë e mirë me shtetin maqedonas, por kurrnjëherë me kaq seriozitet nuk e mbrojnë popullin shqiptar në këtë shtet.

Tash së fundi IRMJ-në e vizitoi ministri i brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi. Ai e bëri këtë vizitë pas vrasjes së katër shqiptarëve nga ana njësive speciale maqedonase afër kufirit që e ndan IRMJ-në nga Republika e Kosovës. Ministri ynë shkoi të përkulej përpara terrorit maqedonas dhe sikur po i kërkonte falje homologes së tij antishqiptare, ministres maqedonase të punëve të brendshme dhe drejtësisë, Gordana Jankulovska. Kjo ministreshë, që nuk bën asgjë tjetër veçse zbaton në mënyrë policeske politikat zyrtare të shtetit maqedonas, udhëheq me ngulm fushatën e terrorit mbi shqiptarët e diskriminuar. Pikërisht kundër këtyre politikave shtypëse javën e kaluar në Shkup mijëra qytetarë shqiptarë demonstruan me moton “PËR DREJTËSI”. Por kjo nuk do të thotë asgjë për ministrin tonë të mjerë. Sepse kur shqiptarët protestonin për të drejtat e tyre legjitime të shkelura kaq mizorisht nga shteti maqedonas, Bajram Rexhepi po vizitonte komunat e reja serbe të decentralizimit etnik në Kosovë. Kurse kur po vriten shqiptarët pa asnjë shpjegim nga ana mekanizmave shtetërorë maqedonas, Bajram Rexhepi rend turravrap për ta siguruar Jankulovskën se, sa i përket institucioneve zyrtare të Kosovës, ajo lirisht mund ta vazhdojë fushatën e nisur të terrorit.

Këto praktika jo vetëm që po e terrorizojnë popullatën shqiptare në IRMJ. Por, përveç kësaj, shqiptarët atje po vriten pa kurrfarë shpjegimi, paralajmërimi dhe përgjegjësie, vetëm pasi që paraprakisht të jenë shpallur ‘terroristë’. Nëse kërkon të drejtat tua si shqiptar, kjo në fjalorin shtetëror maqedonas do të thotë se je ‘terrorist’. Prandaj vrasja e këtyre ‘terroristëve’ të etiketuar, jo vetëm që bëhet me kënaqësi të lartë gjuetie, por madje fiton edhe duartrokitjen e shqiptarëve tjerë institucionalë si kjo puna e Bajram Rexhepit. Ky ministër i Kosovës u përpoq ta përçojë një porosi krejt shkurajuese për popullin e pambrojtur shqiptar në IRMJ. Me formën dhe përmbajtjen e vizitës së tij, Bajram Rexhepi tha: ne nuk mbështesim kërkesat e shqiptarëve për drejtësi - ne mbështesim fushatën maqedonase të terrorit antishqiptar. Duke i vrarë shqiptarët qëllimisht në kufi, shteti maqedonas po e akuzon edhe vetë Kosovën për terrorizëm, duke pretenduar se rreziku vjen prej këndej. Por pas akuzave për terrorizëm që u mvishen shqiptarëve, është vetë shteti maqedonas ai që po e fsheh dhe arsyeton terrorin e tij mbi popullin tonë në këtë shtet. Ndërkaq, me vizitën e tij e cila pati konotacion shfajësues dhe arsyetues para shtetit maqedonas, Bajram Rexhepi sikur në mënyrë implicite e pranoi akuzën, në vend që t’i përgjigjej asaj me vetë kërkesat e shqiptarëve të IRMJ-së për drejtësi dhe demokraci.

Me vizitën e tij përkulëse dhe këtë paraqitje të neveritshme, Rexhepi siguroi Jankulovskën se institucionet e Kosovës jo vetëm që nuk brengosen për mënyrat qysh i trajton shteti maqedonas shqiptarët atje dhe se si i qëron hesapet me ta, por, madje, edhe se i jep krah të parezervë trajtimit aktual që po ia bën ky shtet popullit shqiptar. Këta janë politikanët tanë: ata mendojnë se detyra e politikanit dhe përfaqësuesit nuk është mbrojtja e qytetarit dhe popullit të vet, por angazhimi i pandalshëm për zhvillimin e fqinjësisë së mirë, edhe kur shteti tjetër nuk është aspak fqinj e demokratik, por shtet në të cilin në mënyrë sistematike e të dhunshme shkilen të drejtat politike, shoqërore dhe kulturore të popullit tonë. Bajram Rexhepi shkoi në Shkup për ta dënuar ‘terrorizmin’ shqiptar ndërkufitar, në kohën kur strukturat kriminale të Serbisë kanë djegur kufirin e Kosovës me Serbinë si dhe për çdo ditë shkelin sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tone, kurse ministri ynë i brendshëm bën sehir.

r.n/NOA

KOMENTE