English

Durrës: Berisha: Funksionimi I Shtetit Ligjor, Kushti Themelor Për Anëtarësimin Në Be

DURRES, 17 maj /ATSH-Gëzim Kabashi/.- Kryeministri Sali Berisha ka vlerësur sot në Durrës se "kushti themelor për anëtarësimin në Bashkimin Evropian është funksionimi i shtetit ligjor, duke shtuar se nuk ka shoqëri të lirë pa shtet ligjor". Gjatë ceremonisë së përurimit të Qendrës Operacionale të përbashkët për kontrollin e hapësirës detare në zonën e Plepave, disa km larg Durrësit me një investim prej 2.4 miliardë lekë, kryeministri Berisha tha se "qeveria po punon për t'a kthyer në realitet idealin evropian të shqiptarëve". Duke përgëzuar forcat ushtarake të pranishme në ceremoni, Berisha tha se "çdo përpjekje për të imponuar me cilindo mjet, apo çdo forcë qoftë dhunimin e shtetit, do të marrë përgjigje ligjore nga kushdo dhe cilido". Kryeministri vlerësoi se sovraniteti, përkushtimi dhe angazhimi i plotë i qeverisë shqiptare do të mundësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në Evropë. "Kushti themelor që Shqipëria të jetë një vend eksportues i sigurisë dhe stabilitetit në rajon është arritur edhe falë rolit tuaj themelor dhe të pazëvëndësueshëm", j'u drejtua kryeministri Berisha përfaqësuesve të shtatë ministrive pjesmarrëse në Qendrën për kontrollin e kufijve detarë. Në ceremoninë e organizuar sot paradite merrnin pjesë ministrat e Mbrojtjes, Arben Imami dhe ai i Brendshëm, Lulzim Basha, deputetë të Kuvendit, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura, drejtues të pushtetit vendor në Durrës, përfaqësues të shtatë ministrive pjesëmarrëse në funksionimin e Qendrës së përbashkët për kontrollin e kufijve detarë./n.m/
KOMENTE