English

Epidemia në Ballsh, Transportet: Vendorët të gjejnë përgjegjësit

Tiranë, 17 maj, NOA - Një javë pas shpërthimit epidemik në Ballsh, asnjë strukturë lokale në këtë qytet nuk ka marrë përgjegjësitë për ngjarjen e rëndë që çoi në spital rreth 237 persona me sëmundjen infektive të gastroenteritit si pasojë e ujit të ndotur.

Edhe pse ministria e Shëndetësisë gjatë daljes së saj publike për mediat deklaroi shkakun e epidemisë, ujin e ndotur, zyrtarisht nuk ka asnjë emër ndaj të cilit mund të jenë marrë masa.

Drejtori i përgjithshëm i politikave mbi Ujësjellës-Kanalizimet, në ministrinë e Punëve Publike, Taulant Zenelaj, thotë se i takon pushtetit vendor të gjejë përgjegjësit për këtë ngjarje.

“Normale që për këtë ngjarje duhet të ketë përgjegjës, por siç dhe ju e dini, ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve janë në varësi të pushtetit vendor ndaj i takon kësaj të gjejë fajtorët. Sipas ligjit, janë ndërmarrjet e ujësjellësit që duhet të mbrojnë rrjetin e t’u sigurojnë qytetarëve furnizim me ujë të pijshëm, ndërsa drejtoria e shëndetit publik duhet të marrë analiza çdo ditë për të parë cilësinë e ujit. Të dyja këto struktura duhet të rakordojnë punët mes tyre për të garantuar cilësinë e ujit të pijshëm”, u shpreh Zenalaj.

Në rastin e epidemisë në qytetin e Ballshit, drejtori i përgjithshëm i politikave mbi Ujësjellës-Kanalizimet, në ministrinë e Punëve Publike, Taulant Zenelaj, thotë se pas daljes së rezultateve përfundimtare të Institutit të Shëndetit Publik, duhet që të gjithë strukturat t’o nënshtrohen një analize për të nxjerrë përgjegjësit”, tha Zenelaj.

Sipas analizave të shëndetësisë, ndotja e ujit të pijshëm në Ballsh mund të jetë shkaktuar nga dëmtimet që ka pësuar rrjeti si pasojë e ndërhyrjeve të qytetarëve. Zyrtari i ministrisë së Punëve Publike thekson se dëmtimi i rrjetit të ujësjellësit është vepër penale dhe për këtë duhen ndëshkuar fajtorët, por deri më sot s’ka asnjë gjykim për ta.

Analizat e hetimit epidemiologjik për Ballshin vërtetuan se shkak I saj ishte ndotja e ujit e shkaktuar nga bashkimi I ujërave të zeza me të bardha. Kjo u vërtetua nga prania e bakterit të esherica colit në mostrat e ujit të pijshëm që morën specialistët në pikat fundore të ujësjellësit.

Këto analiza u kryen në laboratorin biokimik të Institutit të Shëndetit Publik. Një ndër masat që morën specialistët e shëndetit publik ishte dyfishimi i nivelit të klorit në ujë, por masë emergjente sipas tyre është riparimi i shpejtë i tubacioneve të çara nga lidhjet e paligjshme të qytetarëve.

b.a/NOA

KOMENTE