English

Korçë: Fillon Festivali Ndërkombëtar I Monodramës

KORÇË, 17 maj / ATSH-Behar Fejzulla/ - Festivali Ndërkombëtar i Monodramës në qytetin e Korçës çeli siparin në mbrëmjen e së dielës në skenën e teatrit "A.Z.Çajupi", ku në gjashtë ditë do të konkurojnë 12 grupe nga Shqipëria, Greqia, Maqedonia, Kosova, Bullgaria, Rumania, Polonia, Rusia, etj. Drejtori i festivalit, regjisori Dhimitër Orgocka nënvizoi se ky aktivitet, që organizohet për të pestin vit radhazi synon gjallërimin e jetës artistike në Korçë dhe nxitjen e turizmit në këtë rajon. Sipas tij, e veçanta e Festivalit sivjet lidhet me faktin se shfaqjet do të jepen jo vetëm në skenën e teatrit "A.Z.Çajupi, por edhe në mjedise të hapura në pika të ndryshme turistike të qytetit dhe fshatrave turistikë të Voskopojës, Dardhës, etj. "Në këtë mënyrë, miqtë nga vendet e ndryshme do të njohin edhe bukuritë natyrore dhe vlerat turistike të Rajonit të Korçës", tha Orgocka. Për vlerësimin dhe ndarjen e çmimeve, sipas tij, funksionon një juri ndërkombëtare, që do të shpallë interpretuesin më të mirë dhe monodramën më të mirë ditën e premte. Festivali sponsorizohet nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve./ch/
KOMENTE