English

Nis Festivali Ndërkombëtar i Prishtinës për Muzikën e Re

Prishtinë, 17 maj, NOA/ Milena Selimi – “ReMusica festival” do të zhvillohet në Prishtinë nga data 18-25 maj 2010, me pjesëmarrjen e ansambleve instrumentale nga Shqipëria, Kosova, por edhe Kroacia dhe Shkupi, pa përmendur pjesëmarrjen e veçantë të solistëve me emër ndërkombëtar.

Ky festival për muzikën e re, organizohet nga një grup muzikantësh të talentuar kosovarë, në një ide nga kompozitori Rafet Rudi dhe që nga edicioni i parë, REMUSICA e ka pasur parasysh këtë problem fondamental duke tentuar që të gjejë rrugë të përshtatshme në komunikim me publikun. Ajo për këto nëntë vite të ekzistencës së saj, ka arritur ta bëjë publikun e vet.

Në edicionin e sivjetshëm, REMUSICA vjen me risi, me program edhe më të pasur dhe më atraktiv për publik, duke ruajtur gjithmonë synimet e saja themelore - popullarizimin e muzikës bashkëkohore dhe afirmimin ndërkombëtar të muzikës kontemporane shqiptare/kosovare.

Dita e parë e Festivalit i është dedikuar tërësisht muzikës shqiptare, që do të na sjellë ansambli ambicioz Camerata Tirana.

Salla e kuqe do të mirëpresë orkestrën nga Shqipëria, Camerata e Tiranës, e cila nën drejtimin e dirigjentit francez Jean Michel Ferran do interpretojë pjesë nga kompozitorët shqiptarë Zeqirija Ballata, Vaso Tole, Nestor Kraja, Hajg Zaharjan, Endri Sina, Aleksandër Peçi, Feim Ibrahimi, Shpëtim Kushta, Dorian Çene, Sokol Shupo.

Në mbrëmjen e parë të festivalit do të interpretojnë solistët pianistja, Merita Rexha dhe Elvis Peçi, soprano Ardita Meni dhe mexosoprano, Vikena Kamenica.

Vlen të theksohet interpretimi i pjesës Vikamë nga Feim Ibrahimi, nën interpretimine trios: Violinë, Lorenc Radovani, violë, Arian Paço dhe violonçel, Arben Skënderi.

Me një numër të madh aktivitetesh, jo vetëm në Shqipëri por dhe jashte saj, Camerata e Tiranës, drejtohet dhe luan me dirigjentë e solistë nga më me zë sot në botë, si Jean Michel Ferran, Vito Clemente, Jean Ferrandis, Dominique de Uilliencourt, Emmanuel Rossfelder, Inva Mula, Klodiana Skënderi, Frédéric Laroque, Philip Muller, Pascal Gallet e shumë e shumë të tjerë.

Në sezonin e ardhshëm, Camerata e Tiranës në bashkëpunim me Fakultetin e Arteve Kristal, do të nisë ndër të tjera dhe një seri koncertesh në festivale europiane si ‘Rencontres Musicales de la Prée’, Festival des Randonnees du Ferrand, ‘Les Musicales du Blancheroux’, ‘Academia internacionale del Umbria’, ‘Rencontres Internacionales de Calenzana’ etj.

Në mbrëmjet vazhduese, ReMusica Festival do të sjellë recitalet e dy artistëve me emër të çmueshëm ndërkombëtarë, nga Franca dhe Gjermania - çelisti Domininique de Uilliencourt dhe trombonisti i ri Frederic Belli, (të cilin do ta kemi prezent edhe në koncertin e Filharmonisë së Kosovës).

Në programin e këtyre dy artistëve, (si gjithmonë në koncertet e artistët të huaj pjesëmarrës në Remusica) do të ketë edhe vepra të kompozitorëve kosovarë.

Organizatorët theksojnë se “si veçori e edicionit të sivjetmë, e konsiderojmë përfshirjen e shtuar të ansambleve (e jo vetëm të solistëve) që, si dihet, nuk është lehtë të sigurohen. Kështu përpos ansambleve të mëdha (Filarmonisë së Kosovës dhe Korit të Filarmonisë), orkestrës kamertale Camerata Tirana, në programin e sivjetmë, do të jenë edhe ansamblet Sonoris nga Shkupi dhe Orkestra e fizarmonikave nga Kroacia”.

Në shënimin e vitit të Chopin-t, Remusica do të inkuadrohet me një koncert specifik ku do të ngërthehen veprat e Chopin-t (të luajtur nga pianistja Yllka Istrefi) dhe veprat elektronike të shkruar në bazë të muzikës së këtij kompozitori.

I bindur se edhe muzika elektronike mund të jetë e kapshme për fëmijë, kompozitori Italian Lucio Garau, do të prezantojë koncertin e muzikës elektronike për fëmijë (REMUSICA JUNIOR), të bazuara në përallat e vëllezër ve Grim. Pos kësaj për qëllime pedagogjike, sikundër edhe vitin e kaluar, Remusica ka bërë porosi kompozitorëve kosovarë që të shkruajnë miniatura (këtë vit, për piano) të bazuar në muzikën popullore shqiptare (Koncerti matine i datës 25 maj).

Tradita e Remusica-s për shënimin e përvjetorëve do të vazhdojë edhe sivjet.

Kështu, është paraparë shënimi i 75-vjetorit të dy kompozitorëve shqiptarë - Vinçenc Gjini dhe Feim Ibrahimi (Tribuna muzikologjike e datës 20 maj). Në përpjekjet që të hap debat ndërkombëtar për problemet e përgjithshme të organizimit të festivaleve të muzikës moderne, REMUSICA sivjet organizon Konferencë ndërkombëtare dy ditore (22 dhe 23 maj) ku pjesëmarrës do të jenë përfaqësues të disa festivaleve prestigjioze europiane me të cilat REMUSICA bashkëpunon.

m.s/n.e/NOA

KOMENTE