Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Profil Biznes/ Vlore: Nga Amerika, Në Radhimë Me Një Turizëm Ndryshe
English

Profil Biznes/ Vlore: Nga Amerika, Në Radhimë Me Një Turizëm Ndryshe

VLORE, 17 maj/ATSH-H.Koçi/.- Ishte një 19-vjeçar Vasil Bedini 20 vjet më parë kur ndërsa kapërcente kufirin shqiptar drejt Greqisë, as në mendje nuk e shkonte që të rikthehej sërish në vendlindje, aq më shumë me synime të qarta në biznes. Sot Bedini është pronar i kompleksit turistik "Regina" në bregdetin e Rradhimës, 20 km në jug të Vlorës, një ndër më të njohurit në të gjithë zonën dhe njëkohësisht kryetar i shoqatës së turizmit për degën e Vlorës, detyrë honorifike, por që e bën me mjaft zell. -Nga emigrimi në SHBA, drejt kthesës për turizëm- "Eca rrugë e pa rrugë për të kaluar kufirin drejt Greqisë, disa muaj para se të ndodhte ngjarja e ambasadave në korrik, 1990 në Tiranë", tregon historinë e tij për ATSH-në, 39-vjeçari Vasil Bedini. Në Greqi qëndroi shumë pak kohë dhe pasi mori statusin e azilantit politik, përgatiti dokumentat dhe emigroi në SHBA, vendi që ishte synim i tij. Aty jetoi dhe punoi për 13 vjet në tregti dhe në ndërtim. U lodh mjaft, por edhe fitoi dhe erdhi një moment kur vendosi të kthehej. "Vendi im më tërhiqte dhe nuk mund të rrija më larg", shprehet Bedini. Erdhi në Vlorë, ku mendoi t'i hynte biznesit. -Nga lokali i vogël, tek kompleksi turistik me marketing modern- Para 5 vitesh Vasil Bedini vendosi të konkretizonte projekt-idetë e tij duke ndërtuar fillimisht një lokal modest në bregdetin e Rradhimës, në një kodrinë, rreth 20 metra mbi rrugë. Punoi me përkushtim dhe klientela shtohej në vazhdimësi. Aktiviteti po zgjerohej dhe po ashtu, ndryshonin dhe projektet e tij për biznesin. Sot kompleksi turistik "Regina" është tepër i njohur në zonë me ngjyrën blu të detit, atje ku rruga bregdetare pëson një kthesë tepër të fortë. Kompleksi ka 51 dhoma të të gjitha llojeve dhe kategorive, më shumë se 120 shtretër, një bar dhe restorant, me standarde bashkëkohore dhe mobilim të këndshëm. Vasili thotë se, kompleksin që është plotësim i ëndrrave, e administron me përkushtim. Qëndron vetë në krye të punëve dhe mungon shpesh në familje në Vlorë. Veçanërisht, tani kur edhe sezoni turistik është në pragfillim, angazhimi është edhe më i madh. Ndryshon vizioni i Vasil Bedinit për zhvillimin e turizmit nga operatorët e tjerë turistikë në zonë. Parimin "kërkesë-oferta përcakton edhe çmimet", e zbaton në praktikë se mendon me bindje, që fitimi synohet tek rritja e numrit të klientelës, jo tek rritja e çmimeve. Çmimet që ofrohen në kompleksin turistik "Regina", janë të arsyeshme edhe në kulmin e sezonit, ku një dhomë "dyshe" kushton 40 euro, ndërsa një apartament, deri në 48 euro. "Këto çmime janë të njëjta. Nuk i ndryshoj as në kulmin e sezonit", thotë Vasili. Në vlera të pranueshme janë dhe çmimet e barit dhe restorantit, ku menyja e pasur bazohet tek prodhimet e detit, por nuk mungon as mishi i pjekur i qengjit, apo llojet e tjera. Kompleksi është mjaft i frekuentuar dhe dhomat janë gjithmonë plot. "Nuk e kam problem klientelën dhe dhomat e kompleksit janë të zëna gjatë gjithë verës. Në çmimin e akomodimit përfshihet dhe mëngjesi, ndërsa për klientët e paketës turistike, edhe darka. Vlerat e çadrave dhe shezlonëve janë gjithashtu të përfshira në çmimin e dhomave", tregon Bedini. Ai jep shembullin se si mund të zgjatet sezoni turistik në këtë pjesë të bregdetit. Sepse ndryshe nga pjesa më e madhe e operatorëve turistikë, që punojnë me fluks të plotë pak më shumë se 2 muaj gjatë verës, Bedini ofron aktivitet shumë më të zgjatur në kohë, ku klientela kryesore janë turistë të huaj. "Sezonin me fluks të plotë e nis në 9 qershor dhe e vazhdoj deri në fund të shtatorit", thotë Bedini, që suksesin e ka ndërtuar sipas praktikës se punon me 4 agjenci turistike partnere edhe në vende të tjera, si në Çeki, Gjermani etj. Nga Çekia siguron mesatarisht çdo vit 500 turistë, që akomodohen nga 1 javë deri në 10 ditë në kompleks, ndërsa nga Gjermania, numri i turistëve të përhershëm nis nga 200-250 persona. "Edhe sivjet kam mbyllur thuajse gjithë prenotimet me turistët e huaj deri në javën e tretë të shtatorit", tregon Bedini. Ndër ditët e qëndrimit, turistët e huaj shetisin me autobuzët e tyre në pika të ndryshme arkeologjike e turistike, si në Llogora, qytezën antike të Orikut, Zvërnec etj, ndërsa gjatë ditës shijojnë plazhin dhe ushqimin e mirë që ofrohet në restorant "Regina". Vetë kompleksi ofron shërbim transporti me furgonë, dy herë në ditë me destinacion Vlorën dhe Orikumin. Tani, Vasil Bedini po u jep dorën e fundit përgatitjeve me riparime në mjediset e kompleksit. Ndërkohë është duke përfunduar kontratat e furnizimit me produkte ushqimore me subjekte të ndryshme private./n.m/
KOMENTE