English

Erjon Braçe: Po u mundëm këtë herë, s’do ketë Shqipëri demokratike

Tiranë, 18 maj, NOA – “Nëse ne do të mundemi këtë herë, nuk do të ketë më Shqipëri demokratike, prandaj ne duhet t’i rrëzojmë këta hajdutë me votën e lirë të çdo shqiptari të ndershëm”.

Kështu u është drejtuar protestuesve të opozitës, të cilët janë mbledhur si për çdo mbrëmje para godinës së Kryeministrisë, deputeti socialist, Erjon Braçe.

Ai ka hedhur thirrje të ashpra kundër qeverisë dhe personalisht, kryeministrit Berisha, duke pohuar se po uzurpojnë vendin me vota të vjedhura.

Më tej, ai ka hedhur thirrje që populli të ketë kujdes edhe për paratë e tij, duke mos ia besuar kësaj qeverie.

“Mos i besoni më kësaj qeverie dhe institucioneve të saj, të cilat kanë uzurpuar paratë tuaja, siç është Banka e Shqipërisë”, tha Braçe.

Dhe duke e ashpërsuar më tej tonin e fjalimit të tij, ai përmendi edhe vitin e mbrapshtë ’97, duke e krahasuar atë që e priu atë me zhvillimet e tanishme ekonomike në vend.

“Kryeministri Berisha po na zhyt në varfëri dhe mizerje si 14 vite më parë, si në gropën e piramidave. Ky është Sali Berisha, i cili nuk na mund dot”, tha ndër të tjera deputeti socialist.

Në fund, Erjon Braçe bëri thirrje që “t’i japim fund këtij pushteti, i cili nuk është i popullit, por i një familjeje”.

n.e/NOA

KOMENTE