English

Konfirmohet rasti me malarie, ISHP: Erdhi nga ishulli i Korinthit

Tiranë, 18 maj, NOA - Instituti i Shëndetit Publik kundërshton zërat për verifikim të malaries në Institutin Superior të Shëndetit në Romë, sëmundje kjo që u diagnostikua tek një pacient 17 vjeccar nga fshati Zall Herr i Tiranës të premten e shkuar.

Drejtoresha e Departamentit të Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino deklaroi se ISHP ka të gjitha kapacitetet e duhura për të kapur sëmundje të tilla infektive dhe nga analizat e kryera në laborator, pacienti është i prekur nga malaria e formës së lehtë.

Bino shpjegon dhe shkaqet e infektimit të pacientit. Sipas saj, malaria u importua nga Greqia, pasi nga investigimi epidemiologjik rezulton se pacienti ka qëndruar një vit më parë për një periudhë 6 mujore në ishullin e Korinthit, zonë ku ka qarkulluar malaria.

Instituti i Shëndetit Publik e konsideron pacientin e prekur nga malaria, jo të rrezikshëm për familjarët e shoqërinë.

Sipas Binos, përveç pacientit janë ekzaminuar dhe 6 persona të tjerë të cilët kanë qenë së bashku me 17 vjeçarin në Greqi, por ata kanë dalë jo të infektuar nga malaria.

b.a/NOA

KOMENTE