English

Kosovë -Hamiti Në Konferencën "Zhvillimet E Tanishme Në Ballkanin Perëndimor", Në Zagreb

PRISHTINË, 18 Maj /ATSH-B.Jashari/. - Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti, po merr pjesë në Konferencën e organizuar nga Asambleja Parlamentare e Bashkimit Europian, me temë "Zhvillimet e tanishme në Ballkanin Perëndimor", e cila po mbahet në Zagreb, të Kroacisë. Hamiti është bashkëkryesues i Panelit të II-të, që udhëheq debatin për Kosovën, Bosnjën e Hercegovinën dhe Malin e Zi. Sipas zyrës së shtypit të Kuvendit të Kosovës, Konferenca mbledh krerët e Komisioneve për Punë të Jashtme të Kuvendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të BE-së, zyrtarë të lartë të Ministrive të Punëve të Jashtme të Ballkanit Perëndimor dhe të BE-së, si dhe udhëheqës të misioneve ndërkombëtare që drejtohen nga institucionet e BE-së. Qëllimi i Konferencës është shqyrtimi i gjendjes ekzistuese në fushën e sigurisë dhe stabilitetit politik si dhe përparimi në fushën e integrimeve evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke shfrytëzuar përvojat më të mira të mëparshme si dhe ndihmat e BE-së në këtë përpjekje. Debatet në Konferencë do të japin informatat kryesore për raportin e Komitetit Politik të Asamblesë Parlamentare të BE-së të titulluar "BE-ja dhe Ballkani Perëndimor", që do të paraqitet për aprovim në sesionin plenar të Asamblesë në qershor 2010. Hamiti gjatë vizitës zyrtare në Zagreb u takua me Kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kroacisë, z.Frano Matushiq, me qëllim thellimin e bashkëpunimit bilateral në mes të Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendit të Kroacisë në fushën e punëve të jashtme./s.s./
KOMENTE