English

Panairi I Punës- 20 Kompani Hedhin Në Treg 140 Oferta Punësimi Për Studentë

TIRANË, 18 Maj/ATSH-Erla Gjikolli/.- Studentë të interesuar për t'u punësuar u njohën me 140 vendet e lira pune të hedhura në treg nga 20 kompanitë më të njohura në vend, të cilat sot hapën stendat në edicionin e X-të të "Panairit të Punës 2010". I organizuar si çdo vit nga Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri, në këtë panair 1000 mijë studentë të diplomuar me aftësitë respektive dhe CV-të e tyre në dorë, vizituan stendat për t'u njohur me vendet e punës që ofruan bizneset e fushave të telekomunikacionit, bankave, ndërtimit, prodhimit dhe studiove audituese. "Këto biznese kërkojnë të punësojnë studentë në pozicione si agjent shitjeje, specialist IT, ekonomist, financier dhe inxhinier", tha drejtuesja e Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, Floreta Luli Faber. Në fillim të hapjes së stendave për intervistim, Faber vlerësoi se "organizimi i panaireve të tilla që nga viti 2001, me idenë e krijimit të punësimit të studentëve, janë një mundësi e mirë për studentët, por edhe për kompanitë shqiptare, të cilat mund të zgjedhin punonjës të kualifikuar". "Konkurrenca është e madhe", konstatoi Saimira Ylli, një studente e diplomuar për shkenca politike, e interesuar për t'u punësuar si specialiste e burimeve njerëzore pranë kompanisë Vodafone. Ajo vlerësoi se "ky aktivitet është një mundësi shumë e mirë, pasi në një kohë shumë të shkurtër pata shansin që të informohesha, por shpresoj që të përzgjidhem". Përfaqësues të firmës "Volkswagen" thanë se "konceptimi i këtij panairi është një nga mënyrat më komode që ne të gjejmë punonjësit më të aftë për nevojat që kemi". Bashkëpunimi i bizneseve me shërbimet publike të punësimit po rrisin fuqinë e tyre në tregun e punës, tha ministri i Punës, Spiro Ksera. Duke vlerësuar bashkëpunimin me Dhomën Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, Ksera tha se panairet e punës kanë kontribuar në punësimin e shumë të rinjve dhe kanë shërbyer si ura lidhëse mes punëdhënësve dhe punëmarrësve. "Panairet e punës janë mjaft efektive për uljen e nivelit të papunësisë, pasi brënda një afati kohor prej 2-3 ditësh, mundësohet punësimi i punëkërkuesve që shkon deri në 70% të vendeve të lira të ofruara nga ana e punëdhënësve", tha Thoma Miço, drejtuesi i Shërbimit Kombëtar të Punësimit. Sipas tij, vlera e panaireve të punësimit qëndron në nxitjen e punësimit, duke krijuar një treg pune të hapur ndaj kërkesës dhe ofertës, duke nxjerrë shërbimet e punësimit nga rutina dhe monotonia. Firmat pjesëmarrëse në edicionin e X-të të këtij panairi janë: Banka Kombëtare Tregtare, Vodafone, AMC, Volkswagen, Banka Amerikane, Raiffaisen Agna Group, etj. Panairet e punës në vendin tonë po synohen që të kthehen në një traditë. Përgjatë dy viteve të fundit shërbime të tilla punësimi, të konsideruara si "bursa të punës" janë organizuar nga Ministria e Punës në Tiranë, Durrës, Fier dhe Berat./s.s./
KOMENTE