English

Kosovë: Sejdiu Sulltanit Te Brunejit: Presim T'A Merrni Në Konsideratë Kërkesën Për Njohje

PRISHTINË, 19 Maj /ATSH-B.Jashari/.- Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu gjatë pjesëmarrjes në punimet e Forumit Ekonomik Islamik Botëror në kryeqytetin e Malajzisë, takoi sot Sulltanin Hassanal Bolkiah, Sovran i Brunejit, të cilit i shprehu deshiren për të marrë në konsideratë kërkesën për njohje. "Republika e Kosovës është dëshmuar si një faktor shumë i rëndësishëm i paqes dhe i stabilitetit në rajon", tha Presidenti Sejdiu, gjatë takimit me Sulltanin e Brunejit, Hassanal Bolkiah. Duke bërë të ditur se Kosova është njohur nga 68 vende anekënd botës, Sejdiu tha se "ne presim sa më shpejt që të jetë e mundur ta merrni në konsideratë kërkesën tonë për njohjen e Republikës së Kosovës", theksoi Presidenti Sejdiu në takimin e përzemërt, bën të ditur zyra e Presidentit. Duke e informuar hollesisht Sulltanin Bolkiah për të kaluarën dhe të tashmen e Kosovës, Presidenti Sejdiu theksoi se populli i Kosovës ka përjetuar tragjedi të mëdha nën pushtimin e Serbisë, por është i përcaktuar për një të ardhme më të mirë jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin. Pasi e falënderoi Presidentin Sejdiu për informacionet e hollësishme, Sulltani Hassanal Bolkiah shprehu dëshirën e tij që Kosova dhe populli i saj, të kenë një ardhme më të ndritur dhe zhvillim sa më të suksesshëm. Në fund të takimit, Presidenti Sejdiu i bëri ftesë Sulltanit të Brunejit, Hassanal Bolkiah, që të vizitojë Republikën e Kosovës. /a.ke/
KOMENTE