English

Kreu i PS-së mbyll publikisht grevën e urisë

Tiranë, 19 maj, NOA Update - “Ne jemi të gatshëm t’i japim zgjidhje krizës së krijuar, ne jemi të gatshëm të hapim rrugën e liberalizimit të vizave dhe të integrimit të vërtetë të Shqipërisë, drejt Bashkimit Evropian. Prandaj dëshiroj që të gjithë së bashku t’u bëjmë një ftesë atyre që janë ende në sakrificën e grevës së urisë, që të bien në të njëjtën mendje me ne për ta ndalur atë”.

Këto kanë qenë fjalët kulminante të fjalimit të kryesocialistit Edi Rama, të thëna para protestuesve të opozitës, jo vetëm në natën e sotme, por gjatë gjithë këtyre ditëve të gjata të grevës së urisë që ai inicioi me mbështetësit e tij para godinës së Kryeministrisë.

“Ky duhet marrë si një moment që ne synojmë për të realizuar transparencën. Ne nuk e kemi harruar për asnjë sekondë të vetme se në ç’moment është vetë Shqipëria dhe se një pjesë e rrugës sonë drejt Bashkimit Evropian është vendi ynë i përbashkët”, u përpoq ai më pas të justifikonte vendimin e ndërmarrë për ndërprerjen e grevës së urisë, për të cilën e forcoi zërin sa e sa herë në foltoren e ngritur nga opozita poshtë zyrës së Kryeministrit.

“Dhe pavarësisht se janë munduar pafundësisht të thonë dhe të prodhojnë se ne jemi të pandjeshëm ndaj liberalizimit të vizave dhe integrimit, është e kundërta, pikërisht ndjeshmëria ndaj tyre na ka shtyrë dhe mbajtur në këtë protestë, pasi ne donim një Shqipëri si e gjithë Evropa”, tha Rama, duke u përpjekur të argumentojë vendimin për lënien në mes të grevës së urisë.

Ai u bëri me dije protestuesve socialistë se “nesër përfaqësuesit më të lartë të së majtës dhe të djathtës evropiane, presin në tryezë të dyja palët dhe kjo do të shërbejë për të gjetur zgjidhjen, për t’i hapur rrugën transparencës, por edhe përballjes me sfidat e integrimit”.

“Përgjigjia ime në emrin e të gjithëve ju, të të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e rrugës së gjatë dhe të mundimshme të kësaj proteste, muaj më parë se është momenti i një shansi të ri dhe dita për të mos e lënë këtë çast të humbasë”, tha më pas ai.

Pasi sipas tij, “çdo shans që humbet dhe çdo mundësi që s’bëhet është energji e vyer që humbet dhe zhbëhet në një përpjekje të jashtëzakonshme dhe të denjë, sa ç’është vetë liria e njeriut”.

E megjithë këtë tërheqje të beftë të kryesocialistit Rama, pas shumë ditësh këmbëngulje dhe intensitet kundërshtie ndaj qeverisë, ai sërish nuk harroi që në fund të fjalës së tij të bëjnë edhe një “shantazh” të vogël, duke i rikujtuar mazhorancës se opozita “nuk ndalet dhe nuk zbrapset” dhe se është gati për sfida të reja.

n.e/NOA

KOMENTE