English

Noka: Rama ka thënë, “bar do hamë dhe parimet nuk i shkelim”

Tiranë, 19 maj, NOA – Partia Demokratike ka zgjedhur ta trajtojë në mënyrë groteske zhvillimin e grevës së 20 deputetëve dhe 200 mbështetësve të Partisë Socialiste.

Deputeti i PD-së, Flamur Noka, ka bërë një paradë “lajmesh” në deklaratë e sotme për mediat, duke vlerësuar si më të rëndësishme deklaratën që, sipas tij, kreu i PS-së, Rama ka dhënë brenda çadrave, se “bar do hamë dhe parimet nuk i shkelim”.

Deklarata e Nokës ka nisur me shprehjen, “sot kemi shumë news”, për të vijuar më pas me një sërë ‘lajmesh’ ku ironizohet greva e PS dhe disa media që janë pozicionuar qartë në favor të saj.

“Lajmi i parë. Pasi kanë hyrë, kanë dalë, janë kthyer e kanë ikur prapë, janë ndërruar e zëvendësuar, një gazetë e përditshme më në fund ka bërë transparencën e emrave të çadristëve, por nuk sqaron kush, sa, kur dhe si këta emra kanë hyrë e kanë dalë”, u shpreh Noka.

Deputeti i PS-së ka komentuar dhe transmetimet direket të mediave vizive. “Lajmi i dytë është se dy stacione televizive të grevës, ‘24 ora news’, e kaloi çadrën në lajm të dytë, kurse gazeta respektive e kishte me germa të vogla në një cep të faqes”, tha ai.

Në deklaratën e PD-së përmenden edhe qëndrimet e ambasadorëve. “Lajmi i tretë është se grupi, siç tha Mimi nga restoranti i Fidelit, ka vendosur për t’i shkuar deri në fund vetëflijimit, ndërkohë që deputetët janë zhgënjyer nga një ambasador për të cilin ngrenë shumë pikëpyetje”, u shpreh Noka.

Po ashtu, deputeti i PD-së ka ironizuar dhe terminologjinë e përdorur nga Kryetari i PS-së, Rama. “Lajmi i katërt. “Politika e re për një Botë të Re” e kryetarit ka turbulluar pak ditët e fundit edhe jetën e çadrave”, tha deputeti i PD-së.

Ndërsa, Noka ka akuzuar PS-së dhe për pagimin e protestuesve dhe atyre që kanë marrë pjesë në grevë urie. “Lajmi i pestë. Kanë kaluar çdo parashikim kërkesat për të hyrë në grevën me rotacion, aq sa zoti Rama nuk po e përballon dot fluksin e tyre”, tha Noka.

Ndërsa deklarata e deputetit të PD-së mbyllet me qëndimin që ka mbajtur Kryetari i PS-së, Edi Rama ndaj deklaratave të ndërkombëtarëve.

“Breaking News. Sipas “Politikës së Re” të shokut të Fidelit, rreziku i ri imperialisto-revizionist na vinka nga Brukseli. Por Kryetari i ka sqaruar se “bar do hamë dhe parimet nuk i shkelim”, përfundoi deklaratën e tij deputeti i PD-së, Flamur Noka.

m.xh/NOA

KOMENTE