English

Policia ofroi 10 mijë euro për ta kapur, dorëzohet vrasësi i motër e vëlla

Durrës, 19 Maj 2010 NOA – Dorëzohet në polici i dyshuari i vetëm i masakrës në Fushë Krujë ku mbetën të vrarë motër e vëlla. Gëzim Zeneli u shpall në kërkim plot një javë më parë, pasi u akuzua për vrasjen e Xhevrije Stafës dhe Qemal Cepanit, motër e vëlla dhe policia ofroi për kapjen e tij, 10 mijë euro shpërblim.

Drejtoria e Policisë së Durrësit i konfirmoi agjencisë NOA dorëzimin e vrasësit të dyfishtë që pranoi krimin e kryer: “Si rezultat i punës së pandërprerë të kryer nga strukturat për hetimin e krimeve të Drejtorisë së Policisë Qarkut Durrës dhe Komisariatit të Policisë Krujë, kontrolleve të vazhdueshme në këtë drejtim si dhe grumbullimit të informacionit mbi vendndodhjen e tij, u bë i mundur vetëdorëzimi i personit të kërkuar, Gezim Zeneli, 38 vjeçar, lindur e banues ne fshatin Vinjoll të Kurbinit, me shtetësi e kombesi shqiptare, me arsim 8 klase, i padënuar më parë; person i shpallur në kërkim më datë 12 maj 2010”.

Më shumë lajme nga Kronika

Sipas policisë, Gëzim Zeneli dyshohet se më datë 12.05.2010, rreth orës 11.50, në fshatin Fushë Thumanë Krujë, pas nje konflikti për probleme pronësie ka qëlluar me armë zjarri motër e vëlla Xhevrie Stafa, 50 vjeçe dhe Qemal Cepani, 41 vjeç.

Të plagosurit janë dërguar në Spitalin Ushtarak Tirane ku me gjithë ndihmën mjekësore të dhënë kanë gjetur vdekjen.

Menjëherë pas ngjarjes autori i dyshuar është larguar duke iu shmangur hetimit. Në dispozicion të kapjes së tij janë vendosur shërbime të strukturave të ndryshme të Policisë si dhe shuma prej 10 mijë euro shpërblim e ofruar për personat që posedonin informacion të saktë të vendndodhjes se tij.

Gjatë periudhës njëjavore Gëzim Zeneli ka qëndruar i fshehur në territorin e rrethit të Matit.

“Nga ana jonë po punohet për gjetjen e armës së kryerjes së krimit e cila sipas hetimeve të kryera është hedhur prej tij në afërsi të vendit të ngjarjes”, - deklaroi policia. Ajo shtoi se materialet procedurale për veprat penale të vrasjes se kryer ne rrethana te cilësuara e mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake do t’i kalojnë për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Krujë.

a.a/r.n/NOA

KOMENTE